Kryenegociatori me BE: Rezolutat e PE janë thjesht indikacione se nga fryjnë erërat
Kryenegociatori i Shqipërisë në BE Zef Mazi thotë se rezolutat e PE janë thjesht indikacione se nga fryjnë erërat dhe se e rëndësishme është çfarë thotë ekzekutivi.
I ftuar në “Real Story” në News24, Mazi deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë një certifikatë për vendin, ato do të monitorohen dhe do jenë certifikata që Shqipëria po ecën në mënyrë solide drejt integrimit në BE.
“Sot kisha më shumë se një orë kontakt me drejtorin e përgjithshëm të unionit politik të presidencës portugeze, Shqipëria ka bërë progres substancial në të gjitha fushat.
Rezolutat e PE nuk janë mandatore as për vetë shtetet anëtare të BE. Ato janë thjesht indikacione se nga fryjnë erërat. Kuptohet që grupet politike tentojnë të fusin linjat e tyre partiake. Dhe kjo sot është një indikacion nga fryn era, por nuk duhet ta bëjmë kaq të madhe. E rëndësishme është çfarë thotë ekzekutivi, vlerësimet faktike që japin.
Komisioni Evropian, Unioni pret që këto zgjedhje të jenë të lira, të ecin normalisht. Këto zgjedhje do monitorohen nga ODIHR, ndoshta nga asambleja parlamentare e KiE-s. Është e vështirë të paragjykosh pa u bërë zgjedhjet ende. Këto zgjedhje do jenë certifikata që Shqipëria po ecën në mënyrë solide drejt integrimit në BE.
Se si janë ndarë forcave politike i takon atyre të interepretojnë. Ky është qëndrimi që dëgjova në union”, tha Mazi.
Sipas tij, skepticizmat që kanë vendet anëtare lidhen me historinë ose perceptimet.
“Në union sot ka qëndrim Komisioni dhe mbi këtë është qëndrimi që mbajnë qeveritë e vendeve anëtare. Këshilli është ai që vendos. Ka skepticizëm. Shpesh herë skepticizmat lidhen me ndonjë diçka historike ose me perceptime. Jo vetëm të vjetra, por dhe të reja, mbi gjysmë fakte ose fakte jo të plota.
Duke qenë se vendimet e Këshillit merren konsensuale, jam i sigurt se procesi i integrimit do vazhdojë dhe Këshilli do marrë vendim që të miratohet konferenca e parë”, theksoi ai.
Mazi tha se në prioritetet e presidencës portugeze është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-Be gjatë këtij semestri.
“Unë e kam parë çfarë është shkruar në prioritetet e Presidencës portugeze edhe pse në atë që është botuar nuk është, në prioritetet e presidencës portugeze, çka ma konfirmuan sot përsëri në bisedat që pata direkt me to, është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë brenda këtij semestri, brenda presidencës së tyre, ndoshta qershori, ndoshta korriku. Ne duhet të vazhdojmë t’i përmbushim të tëra, në vijimësi.
Kuptohet që zgjedhjet tona do i shikojnë. Do jenë certifikata jonë, një provë e fortë për ne, për ndonjë skeptik. Do jetë vërtetim se ky vend po ecën mbi shina gjithnjë e më të mira demokratike”, deklaroi Mazi.