Kryeparlamentarja Nikolla në Kanada: Intensifikim i bashkëpunimit parlamentar me Ontarion

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla po zhvillon një vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Kanadasë. Nikolla e shoqëruar nga Zëvendëskryetari Agron Gjekmarkaj, anëtari i Grupit të Miqësisë me Kanadanë, Eduard Ndreca dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça u pritën në Toronto nga Kryetari i Asamblesë Legjislative të Ontarios, Ted Arnott.

Nikolla vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim mund të rritet e zgjerohet edhe me Ontarion.

“Janë të gjitha mundësitë që mes Shqipërisë dhe Ontarios të ndërtojmë një bashkëpunim të shkëlqyer politik, parlamentar, ekonomik, arsimor dhe kulturor, duke përfituar edhe nga prezenca e komunitetit shqiptar aktiv e dinamik në Provincë, si një urë bashkëpunimi e miqësie mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Përcaktimi me ligj i nëntorit si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario është një shenjë e kontributit ekonomik, kulturor e social të diasporës shqiptare dhe premisë e mundësive e të gjera të këtij bashkëpunimi. Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Dhomës së Komuneve të Kanadasë dhe Asamblesë Legjislative të Ontarios do ta nxisë e mbështesë bashkëpunimin ekonomik, arsimor e kulturor”, theksoi Nikolla.

Kryetari i Asamblesë Legjislative të Ontarios, Ted Arnott, pasi shprehu vullnetin për bashkëpunimin me Kuvendin, vuri në dukje disa përvoja të suksesshme të Asamblesë mbi lidhjen me zgjedhësit, rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare dhe edukimin demokratik të rinisë, nëpërmjet pjesëmarrjes në proceset parlamentare.

Kryeparlamentari Arnott vlerësoi lart kontributin e komunitetit shqiptar në Ontario nga qytetarët dhe institucionet e Provincës, veprimtaritë e larmishme kulturore gjatë muajit nëntor si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare dhe për intensifikimin e bashkëpunimit me Kuvendin.

Asambleja do të nxisë investitorët nga Ontario të investojnë në Shqipëri në sektorët e bujqësisë, përpunimit të ushqimeve, industrive nxjerrëse, arsimit etj. Kryeparlamentarët Nikolla dhe Arnott diskutuan edhe mbi vlerat e përbashkëta dhe qëndrimet e njëjta të Shqipërisë dhe Kanadasë ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, dialogun mes Kosovës e Serbisë, luftën në Izrael, mbështetjen e Ukrainës etj.

SHKARKO APP