Kryepeshkop Joani shërben meshën e parë në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Korçë
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumëria e Tij, Imzot Joani meshoi sot në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë të Dielën e tretë të Kreshmës së Madhe, të Faljes së Kryqit të Nderuar.
Mesha e sotme në katedralen “Ngjallja e Krishtit” ishte një meshim historik, ku Imzot Joani përshëndeti grigjën e Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, të cilës i shërbeu me përkushtim dhe dashuri për 27 vjet.
“Rruga jonë kalon përmes vështirësive dhe sakrificave. Për të arritur në dritë duhet të kalojmë përmes errësirës. Kryqi është një ndihmesë e jashtëzakonshme, nëse ne do të kuptojmë misterin e kryqit, jeta jonë do të ndryshojë”, tha Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumëria e Tij, Imzot Joani.

“Sot ne jetojmë në një kohë vështirësie, ndoshta një nga më të këqijat e qytetërimit modern, është mungesa e një jete shpirtërore. Teknologjia ka arritur kulmin, shumë gjëra janë zhvilluar e megjithatë nuk ka gëzim në shpirtrat e njerëzve, sepse mungon jeta shpirtërore, mungon drita e vërtetë. Duke mohuar pseudoveten ne do zbulojmë veten tonë, duke ndriçuar veten ne kemi shpresë të ndriçojmë shumë njerëz. Unë jam i emocionuar, kam shërbyer për 27 vite, dua të falenderoj të gjithë klerikët dhe besimtarët, ndarja për një kohë kaq të gjatë nuk është kaq e lehtë. Por kjo është një ndarje e përkohshme pasi të gjithë besojmë se do të takohemi në botën e përtejme”, tha Imzot Joani.
Besimtarët pjesëmarrës në meshë shprehën mirënjohjeje dhe falenderim për kryepeshkopin Johan.
Pas një shërbese të përkushtuar, besimtarët qëndruan për rreth 4 orë në katedrale për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore që nisi në orën 09:00, pas shërbesës së mëngjesit që u zhvillua në orën 07:30.
KOHA JONË SONDAZH

