Kryepeshkopit Anastas i jepet Çmimi Ndërkombëtar “Klaus Hemmerle 2020”
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, nderohet Me Çmimin “Klaus Hemmerle 2020” për kontributin e tij në përqasjen dhe bashkekzistencën paqësore të komuniteteve të traditave të ndryshme.
Ceremonia e dorëzimit të Çmimit do të bëhet në Kishën Katedrale historike të Aahenit, në Gjermani.
Ky vlerësim i rëndësishëm jepet një herë në dy vjet, nga Lëvizja e Fokolarëve personaliteteve ndërkombëtare që kanë kontribuar në përqasjen dhe në mirëkuptimin e komuniteteve me tradita të ndryshme kulturore e fetare.
Lavdërimin (Laudatio) për personin e nderuar me këtë çmim do ta mbajë kardinali Kurt Koh, President i “Këshillit Pontifik për Promovimin e Unitetit të Krishterë” (PCPCU).
Në përshëndetjen e tij falënderuese, Kryepiskopi Anastas pritet t’i referohet temës “Bashkekzistenca paqësore në një botë multifetare”.
Fokolarët janë një “Lëvizje për ripërtëritje shpirtërore dhe sociale”romano-katolike, që ka për qëllim arritjen e paqes dhe të bashkekzistencës paqësore midis njerëzve dhe popujve. Ata numërojnë reth 140.000 anëtarë dhe veprojnë në 180 vende.
Prej vitit 2002 kanë themeluar çmimin në fjalë për nder të Klaus Hemmerle (1929-1994), “këtij ndërtuesi urash” shpirtërore, i cili ka qenë Episkop i Aahen (1975-1994) dhe profesor i Filozofisë së Fesë.
Me rastin e këtij aktiviteti, të pranishmëve do t’u vihet në dispozicion përkthimi në gjermanisht i librit të Kryepeshkopit Anatas “Hierapostullim në gjurmët e Krishtit”, që u botua së fundmi nën përkujdesjen e Universitetit të Friburgut, në Zvicër.