Kryepolici-drejtorëve: Jo komando nga zyra
Nuk ka vonuar shumë që nga marrja e postit, që drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, të mbledhë të gjithë drejtorët Thirrja e tij është që drejtorët të mos komandojnë nga zyra, dhe se ai nuk do ti marrë në telefon.
Në takimin me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe ata të Drejtorisë së Policisë Rrugore, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi që Policia Rrugore në Tiranë dhe në të gjithë vendin të ndryshojë mënyrën e deritanishme të funksionimit në raport me sjelljen ndaj shkelësve të Kodit Rrugor dhe qasjen ndaj qytetarëve.
Rrumbullaku ka kërkuar funksionimin e plotë të teknologjisë, duke shmangur prezencën e punonjësit të Policisë në semaforë; kontrollet të jenë me përzgjedhje dhe në raste të konstatimit në shkelje, jo kontroll të çdo automjeti në rrugë.
Theksi u vendos edhe në monitorimin, kontrollin dhe ndëshkimin e punonjësve të Policisë dhe të eprorëve të tyre, nga vetë drejtuesit e strukturave të Policisë, në rast se ata konstatojnë se vartësit e tyre abuzojnë me detyrën ose nuk kanë performancën e duhur në raport me sjelljen ndaj përdoruesve të rrugës.
Rrumbullaku ka mbi supe çështje të forta, si zhdukja e Ervis Martinajt që duhet të zbulojë nëse është vrarë apo e gjitha është një inskenim. Si edhe të zbulojë sesi 14 kriminelë kanë shpëtuar nga arrestimi si pasojë e dekospirimit të hetimeve. Kjo shifër e bujshme u dha nga Gledis Nano, pak ditë para se të shkarkohej.