Kryepolici Nano: Në Shqipëri s’ka grupe të fuqishme kriminale

Vrasjet mes bandave për kryepolicin Gledis Nano, nuk janë tregues se në Shqipëri ka grupe të fuqishme kriminale. ”Nuk ka grupe të fuqishme, këto janë mite që i krijojnë vet ata”, tha Nano nga Vlora. “Do të goditen të gjitha grupet kriminale. Kemi hetime shumë serioze në dorë, do të shikoni rezultate shumë shpejt”.

Të paktën Nano pranon se ka një problem të madh me kultivimin e kanabisi, e sidomos kohët e fundit me lulëzimin e ”shtëpive të barit”. Për të policia duhet të bashkëpunojë me OSHEE, për të evidentuar laboratorët e drogës.

”Po përballemi me shtëpi ku kultivohet kanabis me llamba, dhe OSHEE nuk ka asnjë raport për këtë. Ju kujtoj se kushdo që shpërdoron detyrën do të përballen me forcën e ligjit. Po ashtu, kontrollet e territorit do të vijojnë me dronë e helikopter. Nuk jam këtu për t’ju shantazhuar, por duhet ushtruar kontroll me OSHEE-në për evidentimin e laboratorëve të drogës”.

Kryepolici po ashtu thotë se Policia e ka paguar më shtrenjtë luftën kundër kanabisit. ”Vjet humbëm një efektiv policie, i cili u vra në krye të detyrës”. Nano nënvizon se testi i drogës për efektivët e policisë, do të vijojë.

SHKARKO APP