Kryepolici Nano takon homologun çek: Të forcojmë bashkëpunimin, na presim sfida akoma më të mëdha

Kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano priti në takim homologun e tij çek, Gjeneral Major Martin Vondrášek. Presidenti i Policisë çeke Vondrášek shoqërohej nga drejtues të lartë të Policisë çeke, ambasadori i Republikës së Çekisë në Tiranë, Karel Urban dhe Oficeri Ndërlidhës i Policisë çeke Adriatik Shino.

Në fokus të takimit ishin bashkëpunimi i shkëlqyer i deritanishëm dhe evidentimi i fushave në të cilat duhet të forcohet më shumë bashkëpunimi në të ardhmen. Presidenti i Policisë çeke dhe ambasadori Urban, kanë uruar për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE.

“Ju falënderoj për angazhimin dhe seriozitetin që po tregoni në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy policive. Në kuadër të bashkëpunimit që kemi me vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin më të suksesshëm e kemi me Policinë shqiptare. Mirënjohje dhe respekt për ndihmën e paçmuar që i është dhënë në shumë raste nga Policia shqiptare, turistëve çekë që kanë patur probleme serioze, për shkak të terrenit, gjatë kohës që kanë qenë duke eksploruar bukuritë e vendit tuaj. Do të keni përherë mbështetjen dhe ndihmën e Policisë çeke, në drejtim të pajisjes me teknologji të Policisë Rrugore dhe asaj Kufitare, si dhe në fushën e trajnimeve për të gjithë strukturat e Policisë shqiptare”,-tha presidenti i Policisë çeke, Martin Vondrášek.

Kurse Gledis Nano gjatë fjalës të tij, tha se bashkëpunimi me Policinë çeke është shumë i domosdoshëm. ”Ndaj lind nevoja që të caktojmë grupe pune të përbashkëta, për të evidentuar problematikat në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, me qëllim që ky bashkëpunim shumë i mirë i deritanishëm të shtrihet në të gjitha fushat. Me çeljen e negociatave me BE-në, sfida të tjera akoma më të mëdha na presin dhe në këtë kontekst është e domosdoshme ndihma dhe mbështetja e agjencive ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, po ashtu dhe e policive homologe”.

SHKARKO APP