Drejtori i Përgjithshëm Policisë, Ilir Proda pret ambasadorin Vos: Skuadra të përbashkëta hetimore e operacionale në luftën ndaj krimit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda priti në një takim kortezie Ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri dhe dy oficerët e kontaktit pranë Policisë së Shtetit. Proda dhe Vos vlerësuan bashkëpunimin policor të deritanishëm të Policisë së Shtetit me dy agjencitë ligjzbatuese kryesore: Policinë Kombëtare Holandeze dhe Xhandarmërinë Mbretërore.
Kryepolici i konfirmoi Ambasadorit Vos vendosmërinë e tij për të forcuar këtë bashkëpunim, duke krijuar skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacionale për të luftuar krimin e organizuar. Ambasadori siguroi Drejtorin e Përgjithshëm për vijimin e mbështetjes dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe vlerësoi dhe dakordësoi qasjen e Drejtorit Proda për ta konkretizuar këtë bashkëpunim jo vetëm në shkëmbime informacioni, por edhe në veprime hetimore e operacionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
Gjatë takimit, u vlerësua dhe roli i dy oficerëve të kontaktit të Policisë holandeze pranë Policisë së Shtetit, si ura lidhëse dhe garanci që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe në fusha të tjera që kanë interes të përbashkët.