Kryepolici Rrumbullaku shkrin drejtorinë e Krimit Ekonomik, pezullon të gjithë shefat
Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka pezulluar këtë të premte të gjithë shefat e Krimit Ekonomik, deri në deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit. Kjo për shkak të mungesës së efikasitetit të këtyre strukturave dhe mospërmbushjen e pritshmërive, në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike, apo goditjen e korrupsionit.
Gjatë takimit me Rrumbullakun, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dha porosi të prera për çdo drejtues vendor të Policisë, për një luftë të pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit. Ai konfirmoi vendosmërinë për të mbështetur çdo strukturë në rritjen e punës parandaluese dhe gjithashtu konsolidimin e forcës goditëse kundër kultivimit të kanabisit.
Në këtë aspekt, strukturave policore do t’u vijë në ndihmë përdorimi i teknologjisë së lartë, si dhe pamjet e përftuara nga satelitët në monitorimin e rreptë të territorit. Ministri tha se për çdo parcelë që do të konstatohet nga agjenci të tjera, do të ketë përgjegjësi individuale, për drejtuesit vendorë. Vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet kontrolleve në ambiente të mbyllura.
Ministri i Brendshëm kërkoi angazhimin maksimal të strukturave inteligjente dhe ato të Rendit të Policisë, për mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor të 14 majit, duke parandaluar dhe goditur me forcën e ligjit, çdo tentativë për shit-blerje vote. Ai ka kërkuar goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që policia t’i shmanget çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të lidhur me ta.