Kryepolici Veliu dhe homologu kosovar nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për policimin rrugor
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të lartë të Policisë, zhvilluan një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku u pritën nga homologu Ardi Veliu. Dy kryepolicët kanë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy policive, duke u dakordësuar që ky bashkëpunim i shkëlqyer, kryesisht në fushën e sigurisë rrugore, por edhe të shkëmbimit të informacionit të shtrihet në të gjitha fushat duke eliminuar çdo burokraci apo pengesë. Në fund të takimit, dy Drejtorët e Përgjithshëm nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit për patrullime të përbashkëta të Policisë Rrugore shqiptare dhe asaj kosovare.
”Mirë se keni ardhur dhe sinqerisht ndihem shumë mirë, që mbas vizitës që ne zhvilluam muajin e kaluar në Prishtinë, ju e gjetët kohën dhe mundësinë që t’i përgjigjeshit edhe kërkesës tonë, që ne mbas një situate jashtëzakonisht të vështirë që Shqipëria dhe Kosova kaloi me pandeminë e Covid-19, gradualisht po i kthehemi realitetit ku të kontribuojmë jo vetëm për forcimin e rendit e sigurisë në dy vende, por dhe të ndikojmë pozitivisht në nxitjen dhe mbështetjen e zhvillimit që po i japim turizmit në vendin tonë.
Në rastin konkret është firmosja, vazhdimi i traditës prej disa vitesh i firmosjes së memorandumit apo marrëveshjes së përbashkët në lidhje me ardhjen e patrullave policore të Policisë së Kosovës në mbështetje të strukturave të Policisë së Shqipërisë dhe më konkretisht në ato të Policisë Rrugore.
Prezenca e Patrullave të Policisë së Kosovës ndoshta është pak simbolike përsa i përket numrit apo mjeteve, por mendoj që prezenca e shërbimeve tuaja së bashku me shërbimet tona jo vetëm që ndikojnë në rritjen e sigurisë, por ofrojnë dhe një ngrohtësi apo një vlerësim a ndjeshmëri të qytetarëve të Kosovës, në drejtim të bashkëpunimit me shërbimet e Policisë tonat dhe tuajat së bashku.
Kemi përgatitur një kontingjent fletëpalosjesh të cilat do t’i vendosim dhe do t’i shpërndajmë në vendkalime duke bërë thirrje që qytetarët sa herë të kenë nevojë, në rast se do të jetë e nevojshme dhe duan prezencën e Policisë të dijnë se si të orientohen, ku të telefonojnë, çfarë numrash telefoni apo çfarë aplikacioni të përdorin dhe në rast se do të kenë nevojë që ne t’u përgjigjemi në kohën e parë”, tha Ardi Veliu.