Kryeprokurori Çela: Sistemi i drejtësisë ka nevojë të mbikëqyret! Ulet krimi me 2% në vend!

Prokurori i përgjithshëm, Olsian Çela ka dalë për herë të parë para kuvendit për të prezantuar raportin mbi gjendjen e kriminalitetit në vend. Ai është shprehur ditën e sotme në foltoren e Kuvendit që është rritur numri i çështjeve që dërgohen në prokurori me 29.6% dhe se ka një ulje të kriminalitetit me 2% në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas Çelës, në prokurori janë dërguar 84% e çështjeve që lidhen me dhunën në familje, por duhet të punohet më shumë në lidhje me parandalimin e saj. Kryeprokurori ka prekur edhe sistemin e drejtësisë, ku ka theksuar se ka nevojë të mbikëqyret, pasi ka tension e keqkuptime se si drejtuesit dhe prokurorët bashkëpunojnë mes tyre. Ai shton prokurorët duhet të monitorohen se sa të përgjegjshëm janë dhe se si ata i aplikojnë parimet ligjore.

“Decentralizimi është një sfidë, roli i prokurorisë është i rëndësishëm, mund të rregullojë dhe koordinojë veprimtarinë sipas shkallëve. Kemi në projekt rishikimin e saj sepse ka probleme, është situatë e paqartë, nuk dihet si të operohet brenda. Ka tension keqkuptime se si drejtuesit dhe prokurorët bashkëpunojnë mes tyre. Faza e dytë do të jetë monitorimi se sa të përgjegjshëm janë prokurorët, se si ata aplikojnë parimet e tjera në këtë ligj. kemi krijuar seksionin e monitorimit, do të shërbejë si bazë të dhënash për nisjen e verifikimeve. Sistemi ka nevojë të mbikëqyret nga sipër, ekziston të kemi kaos në zyra. Mund të përballemi me mungesë përgjegjshmërie dhe duhet ata parandalojmë atë. Është në testim, ngelet për tu parë cilat do të jenë defektet. Nuk ka sisteme perfekte dhe roli ynë është të propozojmë zgjidhje. Më shqetëson ngarkesa e lartë e punës, kemi një numër më të ulët, strukturë më komplekse dhe po jep efekt procesi i Vettingut. Do përpiqemi të ndërtojmë një strategji të qartë”, shprehet Çela.

Gjatë marrjes së fjalës së Çelës është parë një skenë fyese kundrejt tij, ku në Kuvend nga 122 deputetë janë vetëm 10 në sallë, gjë që tregon se ka interes minimal në lidhje me kriminalitetin në vend.

SHKARKO APP