Kryeprokurori Llalla: Kemi listën e kandidatëve të inkriminuar

Kandidatët e inkriminuar vazhdojnë të jenë problemi kryesor në Shqipëri, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve.

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në ditën e zgjedhjeve ka folur për kandidatët e inkriminuar.

Pas një takimi me prokurorët e gatshëm për zgjedhjet, Llalla tha se ai i ka shpërndarë emrat e personave të inkriminuar tek institucionet.

Megjithatë ai tha se nuk është koha për të folur për emra konkretë.

-“Ligji penal nuk pengon individët që të kandidojnë. Mendojmë se me procesin e nisur për dekriminalizimin, edhe ky problem ligjor të marrë zgjidhje”.

“Ka emra konkretë, që janë bërë publikë sipas kërkesave të institucioneve përkatëse”.

“Nuk kemi asnjë kallëzim penal për këto zgjedhje,” tha Llalla.

Më të ashpër ndaj këtij fenomeni kanë qenë ndërkombëtarët.

Ambasadori i SHBA Donald Lu vizitoi sot një qendër votimi në Vorë. Ai u takua me komisionerë dhe votues dhe tha se ishte i pranishëm për të ndjekur nga afër procesin e votimit.

 “Jam njëri prej 300 vëzhguesve ndërkombëtarë,” – theksoi Ambasadori Lu.   – “Jemi këtu për të mbështetur shqiptarët për zgjedhje të lira,” – shtoi më tej ambasadori amerikan.

Një ditë më parë Lu tha se “Tashmë i takon votuesve t’i refuzojnë këta kriminelë që përbëjnë tallje për sistemin politik të Shqipërisë”, – ishte reagimi i ambasadorit Donald Lu.

SHKARKO APP