Kryeprokurori pro hartës së re gjyqësore, avokatët në protestë

Në pothuajse mbarë vendin, avokatët po vijojnë bojkotet ndaj seancave gjyqësore, si shenjë kundërshtimi që janë kundër hartës së re gjyqësore. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela është shprehur pro dhe i ka nisur ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja një letër ku shprehet se vlerëson pozitivisht këtë riorganizim të ri.

“Në këtë vështrim sipas kushtetutës dhe ligjit përfshihet sistemi i prokurorisë me ndikim në riorganizimin e prokurorive pranë gjykatës së Shkallës së Parë dhe prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit me juridiksion të përgjithshëm sipas kompetencave të gjykatave, riorganizim të cilin e vlerësojmë si nevojë emergjente për përmirësimin e funksionalitetit, eficent në sistemin e prokurorive”, thuhet në shkresë.

Avokatët në Vlorë u mblodhën përpara gjykatës dhe krah tyre ishin qytetarët, si edhe katër deputetët PD-së për qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj, Ina Zhupa, Arbi Agalliu dhe Fation Veizaj. Të gjithë kundër hartës së re gjyqësore. Bojkotin e të gjitha seancave gjyqësore dhe veprimeve hetimore po e vijojnë edhe avokatët e Korçës si dhe ato të dhomës së avokatëve në Shkodër.

13 Gjykata të Shkallës së Parë, 2 Gjykata Administrative dhe 1 Gjykatë Apeli për të gjithë vendin. Ky është përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend.

SHKARKO APP