Kryeregjistruesi kallëzoi krimin për të cilin u arrestua

Një tjetër drejtues hipotekash u arrestua ditën e sotme, duke iu shtuar listës së gjatë me punonjës hipotekash të akuzuar për shpërdorim detyre.

Nga Lindita Çela | BIRN | Tiranë

Drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, Shkëlzen Berisha, u arrestua nga prokuroria me akuzat “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Kallëzimi i rremë”, pasi kishte denoncuar vetë një rast tjetërsimi prone për të cilin, prokuroria thotë se ai ka qenë në dijeni dhe përgjegjës. Pak orë pas arrestimit, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, urdhëroi shkarkimin e tij nga detyra.

Prokuroria dyshon se  Berisha është në dijeni të tjetërsimit të një sipërfaqe të konsiderueshme toke shtetërore në  fshatin Theth, në veri të vendit.  Fillimisht Berisha e kishte denoncuar rastin në prokuori duke argumentuar se dyshonte se një sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrore tokë shtetërore qe regjistruar përmes procedurave të reme në emrin e një qytetari. Kryeregjistruesi në kallëzimin e tij thoshte se kishte konstatuar shkelje ligjore të kryera nga topografi Spartak Haxhija dhe juristi Taulant Bejko.

Pas hetimeve prokurorët kanë ngritur dyshime se kryeregjistruesi ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave që kryera nga vartësit e tij. Prokurorët kanë bindjen se Berisha ka kallëzuar rastin pasi kishte krijuar dyshimet se mund të mbante përgjegjësi penale për regjistrimin e paligjshëm të pronës në Theth.

“Nga hetimet rezultoi se për regjistrimin e kësaj prone në mënyrë të kundërligjshme ka qenë në dijeni edhe vetë regjistruesi i Shkodrës. Në praktikën e sekuestruar në Hipotekën e qytetit, rezulton se prona 8000 m2 i është njohur shtetasit GJ.L nga zona e Thethit. Ndërkohë, në hetim rezultoi se shtetasi GJ.L. nuk ka bërë asnjë aplikim për njohjen e asaj prone në emër të tij. Po ashtu, rezultoi që praktika duket si e aplikuar nga një tjetër shtetas me të njëjtat gjeneralitete, GJ.L., por që jeton në një fshat tjetër” – thuhet në njoftim zyrtar.

Pak ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë Shkodër, për këtë çështje është ndaluar topografi Spartak Haxhija, për të cilën Gjykata e Apelit ka vendosur masën ”detyrim paraqitje”. Po ashtu, ndaj juristit Taulant Bejko është në fuqi masa e sigurisë ”arrest në burg”.

Fshati i Thethit është bërë gjatë viteve të fundit një qendër e turizmit malor në vend dhe rrjedhimisht, kërkesa për prona atje është rritur.

Hipotekat janë konsideruar prej kohësh institucion me prani të lartë të korrupsionit dhe qeveria ka ngritur një sistem me koncesion që ka synuar të luftojë korrupsionin. Megjithatë, rastet e dyshuara të krimit nëpër hipoteka kanë qenë të shpeshta.

Në shkurt 2015, ish-drejtuesi i hipotekës së Fierit Aleksandër Myrtaj u arrestua bashkë me një topograf, të kapur me zarfe për korrupsion.

Në nëntor 2015, u arrestuan disa persona në Kavajë me dyshimin se kanë tjetërsuar 950 mijë metra tokë në bregdet.

Po në nëntor 2015, ish kryebashkiaku i Himarës Anesti Dhimojani u arrestua i akuzuar për privatizimin e Gjirit të Llamanit.

SHKARKO APP