Kryetari i Bashkisë, Spahia: Presim 200 mijë turistë këtë vit në Shkodër
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia thotë se ndihet i vëzhguar, por edhe i vlerësuar, prej përgjegjësisë së lartë që ka marrë përsipër në drejtimin e një qyteti shumë të rëndësishëm, për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve. Spahia thekson se ka tentuar që të jetë i zhveshur nga barrierat penguese, duke komunikuar me përfaqësues të qeverisë dhe se ka shprehur disponibilitetin maksimal të bashkisë Shkodër dhe hapjen e çdo mënyre bashkëpunimi që të bëhet më e mira për qytetarët shkodranë.
”Turizmi kryesisht me investime inteligjente do mund të stimuloheshin sektorë të ndryshëm. Duhet vëmendje e veçantë për të rritur mundësitë për të rinjtë shkodran që kanë shumë të ofrojnë. Fokus i veçantë për krijimin e start up-eve të reja për rininë. Po ndërmarrim hapa konkret të thithim investitorë, kemi nisur bashkëpunimin me disa kompani lider botëror që kanë shprehur interesin të vijnë në Shkodër.
Do të ketë një mundësi të re për shumë të rinj shkodranë. Për pak ditë fillojnë aktivitetin disa komani mjaft të njohura, të kuotuara dhe në bursë, do jenë dhe në Shkodër, me hapjen e mundësive të punësimit. Në Shkodër pjesën më të madhe e zënë kompanitë e shërbimit 6100 biznese, rreth 600 janë në zonën e Velipojës, sezonal punojnë për një periudhë të shkurtër por pjesa tjetër janë biznese vjetore”,-tha në ”MCNTV”.
Lidhur me sektorin turistik, deklaroi se Shkodra ka një bukuri të rrallë jo vetëm natyrore por një qytet që turizmin e shikon në aspektin multidimensional, i cili shtrihet nga alpet me bukuri të rralla natyrore, për të zbritur në qytetin e Shkodrës, me kulturë jashtëzakonisht të zhvilluar, për të vijuar me liqenin e Shkodrës, më i madhi në Ballkan dhe i treti në Europë, me kalanë e mrekullueshme me një histori e cila shtrihet në shekuj dhe tre lumenjtë e Kiri, Drini dhe Buna.