Kryetari i Gjykatës së Lartë, kritika ndaj ekzekutivit dhe këshillave gjyqësorë
Kryetari i Gjykatës së Lartë ngriti si shqetësim numrin e ulët të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem, si dhe reduktimin e pranimeve të magjistratëve të rinj, duke fajësuar për mungesë vizioni qeverinë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Në konferencën e mbajtur të hënën më 29 dhjetor nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ai paraqiti bilancin e vitit që po lëmë pas, si dhe ngriti si shqetësim mungesën e burimeve njerëzore, duke e cilësuar këtë si një realitet që nuk mund të quhet normalitet institucional. Ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku sërish vendosi theksin te nevoja për përmirësimin e strukturës. Në përgjigje të pyetjes së BIRN lidhur me përplasjet me qeverinë, Sadushi vërejti se, si një prej hartuesve të Reformës në Drejtësi, si dhe si drejtues i Gjykatës së Lartë, ka një përgjegjësi të madhe për përmbylljen e reformës.
Sadushi u shpreh kritik lidhur me mënyrën se si po zbatohet reforma në drejtësi. “Natyrisht kam qenë i kujdesshëm, por edhe kritik, ndoshta edhe më shumë se ç’duhet, për arsye se sistemi nuk po funksionon siç duhet. Arsyeja kryesore është se nuk ka një planifikim të qartë nga organet e qeverisjes se ku duhet të shkojmë. Jo pa qëllim përmenda në këtë deklaratë për shtyp edhe numrin e gjyqtarëve”, tha ai, duke shtuar se në gjendjen aktuale të vakancave është e papranueshme që të reduktohet pranimi i kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
“Çështja më e rëndësishme e reformës është të mundësohet gjykimi në afate të arsyeshme. Nëse këto probleme do të ishin adresuar nga ekzekutivi dhe legjislativi, por në veçanti nga ekzekutivi, nuk do të kishim këto problematika, as me godinat që janë në gjendje të amortizuara dhe të papërshtatshme, as me sigurinë, si dhe nuk do të kishte probleme as me numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, deklaroi Sadushi.
Në fjalën e tij, Sadushi e cilësoi mungesën e gjyqtarëve si problemin themelor të sistemit të drejtësisë. Ai vërejti se aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative. “Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, tha Sadushi, duke shtuar se, sipas standardeve të CEPEJ, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë. Këtë realitet ai e cilësoi si mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem dhe kërkoi marrjen e masave konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës.
Në vijim, Sadushi konstatoi se gjykatat e Apelit funksionojnë me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, duke rrezikuar seriozisht aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar afate të arsyeshme gjykimi.
Sadushi paraqiti gjithashtu gjendjen aktuale të çështjeve në Gjykatën e Lartë, duke konstatuar se stoku është ulur me 61%. Ai vërejti se mbetet problem serioz cilësia e dobët e rekurseve, duke theksuar se rekordin e palëve humbëse e mbajnë organet publike në çështjet administrative./Edmond Hoxhaj, BIRN/
KOHA JONË SONDAZH

