Kryetarja e Komisionit të Medias: Xhelatët e fjalës së lirë nuk ndalin sulmet ndaj medias
Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor kërkon mbylljen e sinjalit të transmetimit të RTV Ora. Kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja Fatjona Dhimitri, thotë se xhelatët e fjalës së lirë nuk ndalin sulmet ndaj medias. ”ISHSH së bashku me AMA, të varur totalisht prej strukturës së pushtetit qeveritar, në mënyrë arbitrare vendosin gjoba dhe tentojnë mbylljen e televizionit. Situatën e pandemisë Komandanti i Rilindjes po e përdor abuzivisht për të përqendruar pushtetet në duart e tij në të njëjtën formë si etërit e diktaturës! Ndalni duart tuaja të njollosura me krim, vjedhje, mashtrim ndaj medias”.
Postimi i plotë
Sërisht sulmohet media!
Xhelatët e fjalës së lirë nuk ndalin sulmet ndaj medias. Rilindja kësaj here projektoi shënjestrën ndaj RTV ORA. Propaganda e Kryeministrit duhet shpërndarë vetëm në formatin ERTV, pasi çdo media tjetër e lëkund ekuilibrin midis vjedhjeve dhe qeverisë.
Ka gjasa të jenë efektet paraprake të paketës antishpifje që me padurim Kryeministri po pret ta ligjërojë duke instaluar censurën ndaj medias. ISHSH së bashku me AMA, të varur totalisht prej strukturës së pushtetit qeveritar, në mënyrë arbitrare vendosin gjoba dhe tentojnë mbylljen e televizionit.
Situatën e pandemisë Komandanti i Rilindjes po e përdor abuzivisht për të përqendruar pushtetet në duart e tij në të njëjtën formë si etërit e diktaturës! Ndalni duart tuaja të njollosura me krim, vjedhje, mashtrim ndaj medias!
Po godisni themelet e demokracisë së një vendi por kurrë s’keni për t’ja dalë t’i mbyllni gojën së vërtetës!