Kryetarja e KPA: Do të denoncoj çdo ndërhyrje politike apo financiare në veting
Komisionarët e vetingut duket se janë të vendosur për ta çuar deri në fund procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në kuadër të reformës në drejtësi, pavarësisht shantazheve financiare dhe politike.
Ditën e djeshme është zhvilluar një ceremoni, ku janë inauguruar zyrat e reja të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të cilat do të jenë pranë Gjykatës Kushtetuese në ish-godinën e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të pranishëm në këtë event, ishin monitoruesit ndërkombëtar të procesit të vetingut, ambasadorë, si dhe gjyqtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Gjatë fjalës së saj para të pranishme, kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj është shprehur e vendosur, teksa ka paralajmëruar se nuk do të ketë mëshirë dhe tolerim ndaj asnjë të korruptuari në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe se do te denoncojë ndërhyrjet politike dhe financiare që mund të bëhen.
“Ndarja e pushteteve, që ka filluar që nga koha e Monteskjese, ndoshta vetëm tani në Shqipëri do të fillojë të materializohet dhe konkretizohet. Më pëlqen që kur flas për rëndësinë e pavarësisë së Drejtësisë të citoj ish-Presidentin e Gjykatës Supreme Amerikane, John Rutlege, bashkëpunëtor i Xhorxh Uashingtonit, i cili me një thjeshtësi mahnitëse është shprehur: “Përsa kohë një vend ka një sistem të pavarur Drejtësie, atëherë interesat madhore të popullit janë të sigurta”.
Unë personalisht nuk do të hezitoj për asnjë çast të denoncoj direkt, pa doreza dhe pa ekuivoke çdo ndërhyrje politike apo financiare në veting. Askush nuk mund të vë re në dyshim integritetin dhe vullnetin tonë. Ne jemi shërbëtore të devotshëm të ligjit dhe popullit”, deklaroi ajo.
Më tej, Mulaj theksoi se filtri i imët dhe funksional i vetingut, sipas saj, do të shërbejë si gur themeli për shëndoshjen e sistemit të drejtësisë. Sipas saj, të qenurit i pastër, i papërlyer dhe i painfluencueshëm nga politika dhe paraja është parakusht thelbësor për të hedhur bazat e forta të shëndoshjes së drejtësisë së sëmurë shqiptare. “Si çdo mision dhe misionar, realiteti imponon kushtet në të cilat veprojmë.
Të gjithë pjesëtarët e sistemit të drejtësisë duhet të kalojnë në “sitën” e imët te vetingut. Unë jam e bindur se “skanimi” kërkon vetëm paanshmëri, ndershmëri, profesionalizëm dhe padyshim atë element që realisht ka munguar në të gjitha sistemet që përbejnë demokracinë: mungesën totale të selektivitetit”, nënvizoi kryetarja Mulaj.
KOHA JONË SONDAZH

