Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali: Reformat nxorën Shqipërinë nga lista e vendeve në monitorim të KiE

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vlerësoi sot se dalja e Shqipërisë nga lista e vendeve në monitorim dhe vendosja në proces post- monitorimi erdhi si rezultat i reformave të ndërmarra.

Spiropali iu drejtua me një fjalë mbledhjes së Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që po zhvillon punimet në Tiranë.

Kryetarja e Kuvendit përshëndeti vendimin e Këshillit të Europës për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim dhe vendosjen në proces post-monitorimi, ndërsa rikonfirmoi angazhimin e Kuvendit për të udhëhequr procesin e reformave dhe progresin e Shqipërisë në respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve që burojnë nga ky status i ri në organizatën prestigjioze të Këshillit të Europës.

“Çështjet kryesore që kanë mbajtur Shqipërinë me status nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në mënyrë të përsëritur kanë qenë reformat gjithëpërfshirëse në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, reforma administrative-territoriale, ligji për mbrojtjen e pakicave, reforma zgjedhore, liria e medies, reforma në administratën publike”, tha Spiropali.

Për Spiropalin, progresi i dukshëm i Reformës në Drejtësi, vlerësimi nga Moneyval në tetor 2023 dhe vendimi për ta hequr Shqipërinë nga lista e shtuar nën monitorim, ligji i vitit 2017 për pakicat dhe reforma administrative e vitit 2014, ishin disa nga elementet thelbësorë që çuan në vendimin pozitiv  të prillit 2024 për ta kaluar Shqipërinë në fazën post monitorim.

“Ky vit shënon 75-vjetorin e Këshillit të Europës, një moment historik që thekson rëndësinë e qëndrueshme të këtij institucioni në promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në gjithë kontinentin tonë. Këshilli i Europës vijon të kontribuojë me propozimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit vlerësoi rolin e dobishëm që Asambleja Parlamentare e KiE-së dhe ky komision kanë luajtur në rrugëtimin e Shqipërisë drejt demokratizimit.

“Që në fillim të vitit 1990 Këshilli i Europës ka qenë një partner i palëkundur i kalimit të Shqipërisë nga një regjim totalitar në një demokraci të gjallë. Zgjedhjet e para pluraliste në mars 1991 shënjuan nisjen e këtij rrugëtimi kur Asambleja e Këshillit të Europës dërgoi grupin e parë të vëzhguesve në ato zgjedhje, që u faktua me dhënien e statusit të të ftuarit special për Shqipërinë në nëntor 1991”, shtoi ajo.

Spiropali vlerësoi po ashtu se Asambleja Parlamentare, gjatë 3 dekadave të kaluara, ka qenë një aleate vendimtare duke udhëzuar dhe mbështetur në kompleksitetin e ndërtimit të shtetit demokratik.

Spiropali solli në vëmendje faktin se nga vitit 1997 deri në vitin 2014 ka pasur 5 raporte nga Asambleja Parlamentare e KiE-së, ku në mënyrë të përsëritur nënvizohej domosdoshmëria e autoriteteve shqiptare për të qenë në përputhje me rekomandimet, por pa sukses.

Kjo sipas saj, e mbajti vendin tonë peng të vlerësimit vjetor të situatës së demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, duke pasur edhe pasoja në procesin e integrimit europian.

Duke u ndalur te ecuria e procesit të integrimit në BE, Spiropali u shpreh se Shqipëria po ecën me ritmet më të shpejta se të gjitha vendet e tjera të rajonit.

“Kemi përcaktuar si prioritet strategjik kombëtar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE në 15 tetor dhe nisja e negociatave për grupkapitullin e parë ‘Themeloret’ ishte një moment thelbësor për Shqipërinë që reflektoi angazhimin tonë ndaj axhendës europiane dhe reformave transformuese”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Kuvendit siguroi po ashtu se realizimi i këtij objektivi është prioritet numër 1 i Kuvendit të Shqipërisë.

“Kjo ka shtruar para nesh detyra të reja që burojnë nga ligji i ri mbi rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit, përfshirë ndryshimet në këtë ligj në mars 2023, të cilat synojnë që Kuvendi t’u përgjigjet më mirë nevojave dhe sfidave të procesit të negociatave. Mbështetja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës është e vlefshme në ndihmën e Shqipërisë për të avancuar në integrimin drejt BE-së. Ky kontribut është një vlerë e shtuar në përpjekjet e vendeve tona për tu anëtarësuar në BE, pavarësisht shpejtësive të ndryshme me të cilat ne po ecim drejt këtij qëllimi”, shtoi Spiropali.

Spiropali shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2030 është plan sa ambicioz edhe një qëllim i arritshëm.

“Mobilizimi i të gjithë faktorëve politikë e shoqërorë, arritjet e deritanishme dhe vullneti ynë për të përshpejtuar ritmin e integrimit, na bëjnë të besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2030 është sa ambicioz edhe një qëllim i arritshëm. Kuvendi do të vijojë të ecë me vendosmëri me çështjen e anëtarësimit për të garantuar legjitimitetin e e demokracisë dhe karakterin gjithëpërfshirës”, tha Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit siguroi se Shqipëria është e vendosur dhe ka vetëm një plan “A” për të ardhmen e vet, anëtarësimin në BE.

“Falë reformave që ka ndërmarrë qeveria nën drejtimin e kryeministrit Rama ka treguar një përparim të qëndrueshëm në adresimin e rekomandimeve të KiE-së”, shtoi Spiropali. ATSH

SHKARKO APP