Kryqi Kuq i Malit të Zi mbledh ndihma. Deri tani 42 mijë euro
Kryqi Kuq i Malit të Zi është duke mbledhur ndihma për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Në llogarinë bankare të çelur për këtë qëllim, janë grumbulluar deri tani 42.522 euro. Shuma, ndonëse modeste, dëshmon qartë sipas kësaj organizate, gatishmërinë e qytetarëve në shtetin fqinj për të kontribuar sadopak për të mbijetuarit e tërmetit që tronditi vendin tonë një javë më parë.
“Fondet e mbledhura do t’i dorëzohen Kryqit të Kuq të Shqipërisë, i cili ishte aktiv në ofrimin e ndihmës së parë, në mbështetjen sociale dhe në shpërndarjen e ndihmës emergjente për popullatën në zonat që pësuan tërmetin”, thekson Kryqi i Kuq i Malit të Zi, që është në kontakt të vazhdueshëm me Kryqin e Kuq të Shqipërisë, duke ofruar ndihma për ta zbutur sadopak gjendjen pas fatkeqësisë natyrore.
“Hapja e llogarisë bankare ishte mënyra më e mirë për të ndihmuar këtë situatë, pasi burimet financiare do të jenë më të nevojshme për rehabilitimin afatgjatë të efekteve të tërmetit”, thuhet në njoftimin e tij. Sakaq, edhe komuniteti shqiptar në Ulqin, Krajë, Malësi dhe në Plavë e Guci është angazhuar për mbledhjen e ndihmave materiale dhe fondeve financiare në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti.
Me moton “Ndihma jonë e vogël, ka vlerë të jashtëzakonshme” janë hapur disa pika grumbullimi ndihmash. Në dhënien e ndihmave janë përfshirë edhe fëmijët e shkollave shqipe në Malin e Zi. Tërmeti që goditi Shqipërinë përveç se shkaktoi 51 të vdekur dhe dëme të konsiderueshme materiale. /Voa/