Kthyen magazinën në laborator kanabisi, vihet në pranga 24-vjeçari në Lezhë shpallet në kërkim një tjetër
Një laborator për kultivimin e drogës është zbuluar nga policia e Kurbinit. Operacioni i koduar “Gjormë 2021” çoi në pranga një person, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Policia sqaron se laboratori ishte përshtatur në katin e dytë të një magazine, e cila ishte marrë me qira.
Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Vranicki Hisku 24 vjeç, banues në Katund i Ri, Kurbin, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi Etmond Stojani 41 vjeç, banues në Kurbin.
Ndërkohë janë sekuestruar një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo.
Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike.
Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit V. H. është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar”, thotë policia.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.