Ku ikën paratë e Albcontrol? Berisha bën lidhje me gjobën e Becchettit, Air Albania dhe aeroportin e Kukësit
Shkurtimi i pagave të kontrollorëve nga Albcontrol, duket se nuk ka si shkak vetëm rënien e fluksit të fluturimeve për shkak të pandemisë. Ish-kryeministri, Sali Berisha, për Rtv Ora bën edhe lidhje me gjobën e sipërmarrësit italian Francesco Becchetti. Ai thotë se për të gjetur se ku kanë shkuar paratë e Albcontrol duhet që Eurocontrol të dërgojë inspektorët e saj në këtë kompani.
”Mediat belge kanë komunikuar publikisht se për llogari të Francesco Becchettit Abritrazhi ka konfiskuar paratë e Albcontrol në Bruksel. Kjo është publike, nuk dihet cili është roli i shpenzimeve të Albcontrol në avionin personal të Edi Ramës, i cili në çdo udhë kushton nga 150-300 mijë euro udhëtimi. Se kush i mbulon këto?
Thuhet se paratë e Albcontrol këto kohë kanë kaluar dhe te Air Albania. Dhe nëse kanë kaluar, sigurisht nuk kanë kaluar për krahun komercial të saj por për avionin superluksoz të Edvin Ramës me të cilin shkon qoftë dhe për fundjavë në Paris dhe mashtron shqiptarët se shkoi për tu takuar me një këshilltar të presidentit Macron.
Ka ide të tjera se me ato para po blihen aparatura për Kukësin. Ndaj edhe unë ftova Eurocontrol të dërgojë inspektorët e tij dhe ata kanë të drejtë të plotë.I kam ftuar publikisht në një status timin në facebook. Kërkesën zyrtare mund ta bëjë presidenti i Republikës ose Avokati i Popullit, unë nuk jam më institucion zyrtar, jam një qytetar privat.Por unë bëj kërkesën time se është e domosdoshme për të konstatuar se nga shkuan paratë e tyre.
Mund të spekulohet për rrogat e tyre por të atilla janë ato në gjithë Europën, dhe pikërisht se janë të atilla ndrikull Balluku i ka lejuar vetes të shpërblehet direkt me 6 mijë euro në muaj rrogë, të paktën tre rroga të Presidentit të Republikës, ndonëse Kushtetuta dhe ligjet i njohin Presidentit rrogën më të lartë në piramidën shtetërore”,-tha Berisha.