Ku ka shkuar kancelarja që kemi njohur dikur?
Nga Julian Roepcke, BILD
Ku ka shkuar kancelarja që kemi njohur dikur?
Nata mes 11 dhe 12 shkurtit 2015 ishte një moment shkëlqimi për Angela Merkel.
Për 16 orë, kancelarja federale luftoi me Vladimir Putin për të ndalur ofensivën ruse në Ukrainën Lindore. Me aftësi diplomatike dhe e “armatosur” me sanksione të ashpra në duar, Merkel ia doli më në fund të bëjë përparimin e madh.
Pesë vjet më vonë, gjithçka është ndryshe. Qoftë Ukraina, Siria, Libia apo Irani: Putin e tregon se ku po shkojmë. Merkel pohon me edukatë dhe pranon çdo provokim cinik të tij pa lëvizur. Ajo hesht edhe kur ai justifikon vrasjen në Berlin. Ajo flet për paqen në Siri, kurse ai vazhdon të hedhë bomba mbi civilët sirianë.
Dikur ishin rivalë të barabartë, tashmë janë kthyer njëri në aktor dhe tjetra spektatore. Jo për shkak se Putin ka hequr dorë nga politika e jashtme agresive. Por sepse Merkel nuk e kundërshton më atë.
Evropa ka nevojë urgjente për një kundërshtar të barabartë për Putinin. Angela Merkel ka shumë kohë që nuk është e tillë.