Kuçi: Spitali i Durrësit i “pushtuar” nga Covid-19. Shtoni stafin mjekësor dhe infermieror, mjaft me propagandë
Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon situatën e rëndë të krijuar në spitalet e vendit si pasojë e përhapjes së frikshme së pandemisë së koronavirusit.
Një denoncim i fortë vjen nga Durrësi, ku kryetarja e LSI-së së këtij qyteti, Kontjana Kuçi deklaron se spitali i Durrësit është i “pushtuar” nga Covid-19, dukje u shndërruar në vatër infektimi.
“Spitali i Durrësit i “pushtuar” nga Covid-19. Spitali Rajonal i Durrësit është shndërruar në vatër infektimi i Covid-19.
Ky spital gjendet sot në kushte tejet të vështira si në shërbimet shëndetësore ashtu edhe për rrezikun që përbën për shëndetin e personelit mjekësor, pacientëve dhe atë publik.
Situata në menaxhimin e pandemisë në mbarë vendin sikurse edhe në Spitalin e Durrësit ka dalë jashtë kontrollit.
Urgjenca e Spitalit është në kushte shumë të vështira. Ka vetëm 4 infermierë dhe 3 mjekë kirurgë. Është mbyllur salla e planifikimit. Stafi mjekësor është urdhëruar të punojë në urgjencë pasi një pjesë e madhe e personelit mjekësor është në karantinë. Pediatria po vuan nga mungesa e mjekëve Janë vetëm 6 mjekë që përballojnë fluksin e vizitave dhe nuk mjaftojnë për të mbuluar urgjencat. Edhe për neonatin, pediatrët që presin foshnjat, janë vetëm 2. Gjithashtu, personeli infermieror është i pamjaftueshëm duke i privuar kështu shërbimin e duhur shëndetësor foshnjave dhe fëmijëve.
Ndërkohë që nuk ka mjekë dhe infermierë qeveria shpenzoi miliona për restaurimin e fasadave në pediatri. Fasada – fasada – fasada – është bilanci i kësaj qeverisje të dështuar. Fasada ka – por nuk ka profesionistë.
Shtoni stafin mjekësor dhe infermieror dhe mjaft me propagandë elektorale. Mbroni bluzat e bardha, heronjtë e heshtur të këtij vendi. Merrni masa urgjente për menaxhimin e pandemisë dhe funksionimin e Spitalit Rajonal Të Durrësit. Shtoni stafin mjekësor. Shëndeti publik është në rrezik. Mos abuzoni me qindra milionë euro tendera dhe PPP për oligarkët tuaj por investoni në teste, mjete mbrojtëse, pajisje mjekësore dhe në shërbimet shëndetësore. Mos i zhvasni edhe më shumë banorët e Durrësit e mbarë shqiptarët në ditët e tyre më të vështira.
Koha juaj ka mbaruar – Largimi i sektit të rilindjes është i sigurt, por mos u largoni duke lënë pas edhe më shumë dëm dhe shkatërrim për njerëzit dhe familjet e thjeshta. Durrësi do ju ndëshkojë më 25 prill. Shqipëria do ju largojë përgjithmonë”, shprehet Kontjana Kuçi, kryetare e LSI Durrës.