Kufizimi i lëvizjes, reagon Shehu: Masa formale! Nuk do të mund të vendosin situatën në kontroll
Ditën e sotme u njoftua zgjerimi kohor i lockdownit në Shqipëri, duke paralizuar çdo lëvizje pas orës 20:30.
Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu i ka cilësuar në Ora News këto masa si formale, ku sipas tij nuk do të kenë asnjë efekt për të vendosur situatën në kontroll.
Shehu ka thënë se masat e marra janë një teatralitet.
Shehu: Janë masa krejt formale dhe nuk kanë asgjë substanciale. Nuk kanë asgjë që parashikon situatën ku është vendi, një situatë jashtë kontrollit dhe padyshim këto masa nuk vendosin asgjë nën kontroll. Janë thjesht një teatralitet për të thënë që po merren masat dhe siç duket gjithçka është në amulli të plotë dhe që nuk janë në gjendje të marrin asnjëlloj mase që duhet të marrin.
Mënyra se si po merren këto masa nuk ka asnjë sens dhe asnjë kutpim. Produkti do të jetë zero me këto masa që po merren. Ashtu sikurse ishin të gjitha masat që u morën, mbyllja në pranverën e kaluar. Sot jemi me raste të reja 40 herë më shumë se sa kemi pasur, që nuk ndodh në asnjë vend të botës.