Kufizimi i qeverisë për zgjedhjet, PS kërcënon KQZ-në një dite para votimit të draftit: Të mos kapërcehet ligji!
Një ditë para votimit të draftit që kufizon qeverinë për zgjedhje, mazhoranca nuk duket e shqetësuar, ndonëse thotë se shumë prej ndryshimeve të bëra nuk do ishin pranuar në kushte normale. Deputeti i PS, Alket Hyseni kërkon nga KQZ të mos kapërcehet gjithçka që është përcaktuar në ligj.
“Nuk është një draft që erdhi si rrufe në qiell të hapur, rrjedh nga marrëveshja e 5 qershorit që kemi bërë. Ndryshimet i kemi bërë me koshiencë, pavarësisht se nuk kushte normale ne nuk do ti pranonim. Ndryshimet kufizojnë ekzekutivin nga reklamimi i një sërë punësh, nuk na shqetëson kjo gjë sepse e rëndësishme është ti bësh punët e mira. Çfarëdo që të hedhë në akt-nënligjor KQZ e rëndësishme është të mos kapërcehen ato që janë përcaktuar në ligj. Kjo do të thotë që do të ndërpriten punët, pak rëndësi ka nëse do bëhet shoë për reklamimin e tyre apo jo. Të mos krijojmë alibi për opozitën”, shprehet deputeti socialist.
Deputeti i PS nuk e përjashton mundësinë e uljes në tryezë të palëve politike për ndryshime të tjera në Kodin Zgjedhor. Sipas Hysenit, Kodi aktual nuk është i plotë.
“Ne kemi dashur që reforma të jetë më e plotë, por ishim të kufizuar nga ndërhyrjet e opozitës parlamentare. Ne e kemi thënë, dhe me opozitën kemi rënë dakord, pas këtyre zgjedhjeve të ulemi të gjithë bashkë dhe të ndërtojmë një kod zgjedhor më të plotë, sidomos për adresimet e OSBE-ODHIR, kjo është e pashmangshme. Kodi Zgjedhor rregullon lojën e përbashkët politike dhe nuk mund të jetë e njëanshme”, thotë deputeti Alket Hyseni.
Pretendimet e opozitës për ndryshimin në Kodin Penal që lidhet me krimet zgjedhore do të reflektohen thotë Hyseni, ndërsa shton se për këtë arsye është kërkuar të bëhet votimi në Kuvend.
Por çfarë do votojë nesër KQZ-ja?
Nëpërmjet një raporti që pritet të hidhet neser në votim, KQZ ndalon prezantimin e projekteve, dhurimin e çelësave të shtëpive, shpërndarjen e lejeve të legalizimeve dhe prerjen e shiritëve pas datës 25 dhjetor dhe deri në zgjedhje.
NGA 25 DHJETORI NDALOHET:
Dhurimi i çelësave të shtëpive
Prezantimi i projekteve
Shpërndarja e lejeve të legalizimeve
Prerja e shiritave
Sipas Komisonerit, këto aktivitete konsiderohen abuzim me pushtetin dhe që bëhen për funksion të përfitimit për zgjedhje.
Pjesmarrja në aktivitetet e lartpërmendura është e ndaluar për kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrin dhe zëvendësministrin, kryetarin e bashkisë dhe zëvendësit e tij, drejtorin e përgjithshëm i agjencive apo institucioneve në varësi të Kryeministrit, Këshillit të Ministrave ose ministrit, së bashku me zëvendësit e tij
Për këta zyrtarë është e ndaluar dhe reklamimi i objekteve të rintërtuara ose që janë në proces rindërtimi. Gjithashtu KQZ kërkon të ndalohet dhe mundësia që qeveria të marrë vendime për rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve.
Konkretisht në dokumentin e përgatitur nga KQZ thuhet se: “Ndërmarrjet shtetërore gjatë periudhës kohore 4 muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, e kanë të ndaluar të drejtojnë, të marrin pjesë apo në çfarëdolloj forme të kontribuojnë në veprimtari publike të ndaluara sipas këtij vendimi”
Për të gjitha ata që nuk do ti zbatojnë këto rregulla do të ketë sanksione me gjobë të cilat variojnë nga 10 000- 500 000 lekë të reja.