Kukësi përfshihet nga moti i keq, shiu i rrëmbyeshëm lë pa energji disa fshatra
Qyteti i Kukësit përgjatë gjithë natës është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu. Për pasojë ka patur probleme të shumta me energjinë elektrike, pasi reshjet kanë shkaktuar defekt në linjat e tensionit të mesës.
Ndërkohë sipas Shtabit Rajonal të Emergjencave Civile, pa energji si pasojë e kësaj avarie kanë mbetur tre njësi Administrative, Shishtavec, Zapod, Topojan. Ndërkohë grupet e OSHEE janë në terren dhe po punojnë për rregullimin e defekteve. Edhe në qytet janë dy lagje pa energji elektrike.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar jo pak probleme edhe në akset e rajonit verilindor, ku ka patur rrëshqitje dherash e gurësh nga sipërfaqet e malit. Më problematike situata është në aksin Kukës-Shishtavec dhe në rrugën Bajram Curri – Valbonë, megjithatë po punohet për pastrimin e tyre.