Kuko: Pranimi në BE, ul rrezikun që rinia të radikalizohet
zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko, gjatë konferencës ndërkombëtare të OSBE-së kundër terrorizmit, që po zhvillohet në Romë gjatë kryesisë së Italisë, me pjesëmarrjen e 100 delegacioneve nga 60 shtete dhe organizata, theksoi se në vitin 2015 qeveria shqiptare, miratoi Strategjinë Kombëtare Ndërsektoriale dhe Planin e Veprimit për Trajtimin ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa në vitin 2016 u krijua një strukturë unike kundër ekstremizmit të dhunshëm në nivel kombëtar.
“Shqipëria ishte vendi i parë në rajon për të prodhuar një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare dhe plan veprimi kundër radikalizimit të dhunshëm. Strategjia Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm zbaton një qasje parandaluese ndaj ekstremizmit të dhunshëm duke identifikuar komunitetet në rrezik të rënies pre e radikalizimit dhe duke përdorur mjete si arsimi dhe punësimi për të penguar përpjekjet nga grupe të ndryshme për të rekrutuar”,-u shpreh zv.ministrja.
Ajo shtroi pyetjen pse rinia largohet? Rruga për të mos rritur radikalizimin tek rinia, Kuko e sheh tek shpresa e Integrimit në BE, për të cilën theksoi se procesi nuk duhet të zvarritet, pasi çon në rritje të azilkërkimit.
“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se mposhtja e ekstremizmit në Ballkanin Perëndimor lidhet drejtpërdrejt me këtë moment të ri. Pse rinia largohet? Sepse kërkon shpresë. Dhe një nga gjeneruesit kryesorë të ndryshimeve të mundshme dhe me siguri shpresa është pranimi, akoma larg por i arritshëm në BE. Kjo është ajo që mban ende shumë njerëz në vend. Nëse procesi zvarritet për një kohë të pacaktuar njerëzit do të harrojnë ëndrrën, objektivin dhe me siguri do të radikalizohen me lehtësi, do të duan të emigrojnë/kërkojnë azil më shumë. Ne do të vazhdojmë reformat tona energjike, mbi të gjitha që të arrijmë deri në atë pikë sa të zëvendësojmë ekstremizmin e dhunshëm me zhvillim, arsim dhe kulturë”,-tha zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko.
KOHA JONË SONDAZH

