“Kulari i turpit” nga Pandeli Majko
(Botuar me 11 Dhjetor 1993 në Koha Jone)
Intervistë ekskluzive e deputetit Pandeli Majko, dhënë gazetarit Martin Leka
Në pozicionimet tuaja shpesh vihet re një oponencë dhe kritikë ndaj politikës së partisë suaj. Mbi ç’koncept bazohet kjo kritikë e juaja në kuadrin e së majtës?
Mendoj se politika shqiptare po kalon një moment deciziv, për të ardhmen e saj, i cili do të vendosë përfundimisht për konsolidimin ose jo të së majtës në Shqipëri. Dhe kjo ndodh në një kohë që askush si politika e majtë nuk shfaqet kaq e përçarë dhe pa as më të voglin koordinim veprimesh. Kjo përçarje, qofsha i gabuar, mendoj se është pasojë edhe e një inati dhe konkurrence naive që ekziston tek udhëheqësit e së majtës. Evidente del në pah, se një nga arsyet kryesore të mungesës së bashkëpunimit të së majtës politike është me pak fjalë historiku i formimit të tyre. Kjo e fundit në kohën e sotme ngjan një reaksion zinxhir pasi në krizën e tanishme shoqërore, intelektualët shqiptarë reagojnë në mënyra të ndryshme në moçalin që ata i hapin vetvetes duke akuzuar njëri tjetrin për përlyerje në të kaluarën. E ndodhur në vorbullën e një “bashkëfajësie”dhe inferioriteti të fshehur ndonjëherë edhe nën poza “kreshnikësh”, e majta politike dhe konceptet e saja rrezikojnë që të përjetojnë një dekadencë jo të largët. Në këtë situatë, mjaft “shefa”dhe “ideologë”të saj kanë zgjedhur rrugën e heshtjes ose të teorizimeve boshe. Ajo që më ka shqetësuar në këto procese është heshtja. Heshtja që po bëhet një bashkëpronare e shumë të metave të sotme. Kritika ime në kuadrin e së majtës bazohet në konceptin e një njeriu i cili nuk do që të heshtë.
Në shtypin politik të djathtë shpërtheu pak kohë më parë një sulm i egër ndaj figurës së shkrimtarit Dritëro Agolli (ku bie në sy edhe heshtja e ZP). Si do ta komentonit?
Janë fakte që tregojnë se Dritëro Agollin përveçse është një shkrimtar i madh, është gjithashtu edhe një politikan i cili është “armik” i deklaruar si nga e djathta por edhe nga e majta i mediokërve dhe i dështakëve politikë. Dritëro Agolli është nga të rrallët udhëheqës socialistë që e përqafon të renë pa parë interesat e vogla të cilat po e kalbëzojnë politikën e sotme. Ai është njeri i debatit, i aksionit, por edhe krenar dhe i respektueshëm në nostalgjinë e tij me të cilat duhet thënë se e djathta gati është çmësuar t’i shohë këto cilësi tek kolegët e tij. Kështu që edhe acarimi i saj është i justifikuar. Një gjë është e qartë, që Dritëro Agolli i thotë gjërat ashtu siç i mendon. Kjo s’është prej kohësh e zakonshme në politikën shqiptare.
Po për sulmet ndaj Kastriot Islamit ç’mendim keni?
Kam përshtypjen se ai u sulmua sikur të ishte politikani i parë që gabonte në skenën e politikës shqiptare. Kastrioti ishte një njeri që nuk e pranonte skematizmin, të cilit i kundërvihej sipas mënyrave të tij. Por njëra prej mënyrave qëlloi e gabuar. E natyrshme kjo në këto momente kur politika e vendit tonë qëndron ende shumë larg fjalës “profesionalizëm”. Mendoj se Kastriot Islami renditet ndër ato pak shkencëtarë që ka Shqipëria ku përpara se t’i mendosh me ngjyrat e politikës duhet t’i trajtosh si pasuri kombëtare të vetë shkencës.
Si e konsideroni vizitën në Beograd të udhëheqësve politikë të Partisë Aleanca Demokratike?
Ishte një eksperiment. Këtë e kuptojnë besoj, dhe ata që e kryen. JU e dini se kudo raca e “eksperimentuesve”shihet me sy të keq, paçka se zhvillimi ka firmën e tyre pothuajse gjithmonë. Një eksperiment, sigurisht që është diçka më shumë; por ai mbart në vetvete kundërvlerat e tij, si suksesin ashtu edhe dështimin…
Nga disa burime gazetareske kam dëgjuar se intervista juaj dhënë RD është censuruar.
Jo! Censurë nuk ka pasur. Janë shkurtuar disa pyetje-përgjigje për arsye teknike. Personalisht jam i kënaqur nga ky bashkëpunim disi i pazakontë me RD.
Është e vërtetë se një nga shkurtimet ka pasur të bëjë me pyetjen: “ç’mendoni për Enver Hoxhën”?
Po!
Sikur në këtë intervistë t’ju bënim të njëjtën pyetje – “ç’mendoni për Enver Hoxhën”?
Përgjigja ime do të ishte e njëjtë, pa i hequr asnjë presje nga ajo që i kam dhënë RD. “Sigurisht që nuk do të përmend Rezolutën e “distancimit”që udhëheqja e PS realizoi në nëntor të 1991 me një veprim të denjë biblik prej Pons Pilati për të larë duar”. Gjykimi im, është se Enver Hoxha erdhi në skenën e historisë më shumë si fenomen shqiptar se sa si fenomen i ideologjisë së mirëfilltë komuniste. Nuk kuptohet se çfarë deshi të eksperimentonte me vetveten kombi shqiptar, i cili duroi me stoicizëm, radikalizmin dhe diktatin e Enver Hoxhës, që edhe sot janë në përmasa të ngatërruara dhe deri tani të pazbërthyera. Në diktaturën e Enver Hoxhës mund të gjesh reformën përmbysëse dhe zhvillimin sa edhe konservatorizmin dhe stanjacionin. Aty gjen gjëra të cilat, historisë, ndoshta vetëm Shqipëria mund t’ia dhurojë. Aty lehtësisht mund të gjesh dy fenomene që teorikisht janë mohimi i njëra tjetrës, të cilat nga ana tjetër mbartin ekuacionin e diktaturës enveriane. P.sh., habitesh tek sheh se lufta kundër analfabetizmit për ngritjen e klasës së re të inteligjencës shqiptare shoqërohet me mbylljen ndaj Evropës dhe botës deri në izolim. Veprimet kombëtare siç ishin largimi nga Shqipëria i bazave ushtarake ruse bashkëjetojnë fatalisht me tradhti të kobshme siç ishin heshtja për çështjen kombëtare dhe pozicionet naive ndaj KSBE-së.
Vështirë që serbët të kenë pasur armik që t’i urrente më shumë se sa Enver Hoxha, por nga ana tjetër vështirë të ketë ndonjë që të bënte me Shqipërinë dhe pozicionin e saj ashtu siç donin serbët. Gjithçka tek fenomeni i Enver Hoxhës është e ngatërruar për të cilat mbi të gjitha duhet ftohtësi në gjykim dhe realizëm për të mos dalë në konkluzione të përshpejtuara. Në rrjetën e psikologjisë enveriane mund të gjesh të mpleksura filofrancezin dhe stalinistin, romantikun që qan nga mallëngjimi dhe egërsinë që s’di të plagosë, antifetarin dhe njohësin e pasionuar të myslimanizmit, mikun e shtrenjtë dhe armikun e tërbuar, udhëheqësin trim që përleshet në Kremlin dhe frikën për të mos dalë kurrë jashtë kufijve të Shqipërisë. Kështu pra, s’ka asgjë për t’u çuditur sot kur sheh që pavarësisht nga goditjet e rrepta që koha i dha figurës së Enver Hoxhës, ekzistojnë opinione të ndryshme ndaj figurës së tij të cilat më shumë se frymës “pro”ose “kundër”ideologjisë së tij komuniste përmbajnë nostalgji dhe urrejtje. Ku përsëri edhe fjalët “nostalgji”dhe “urrejtje”nuk kanë kuptimin e tyre të zakonshëm. Mendoj se duhet të mësoheni t’i marrim gjërat ashtu siç janë dhe vijnë dhe jo si i duam. Në fund të fundit, kjo është Shqipëria dhe shqiptarët, në historinë e të cilëve, pavarësisht nga gjendja e sotme, do të ketë patjetër vend për Enver Hoxhën. Për udhëheqësin e shqiptarëve si askush mbajti peshën e të gjithë botës mbi supe dhe diktatorin që shkatërroi megjithatë si askush kombin e vet. Për njeriun që qëndroi midis ëndrrës dhe realitetit, midis gënjeshtrës dhe idealit, midis trimërisë dhe frikës, midis së madhes dhe së voglës, midis lavdisë dhe krimit, e cila për cilësinë e mëtejshme të tij ndoshta do të detyrohet t’i kërkojë gjuhës shqipe një fjalë të re të padëgjuar ndonjëherë më parë.
Eduart Selami, kryetar i PD e mohoi bashkëpunimin PD-PS në Kuvendin e dytë të partisë së tij, duke ritheksuar se nuk do të ketë përsëritje të “Qeverisë së Stabilitetit”. Si person i cili jeni shprehur për këtë bashkëpunim cila do të ishte përgjigja juaj?
Përgjigja ime?! Mendoj se nuk ka nevojë për përgjigje. Kryetari i ri i PD është aq i “vjetër”në politikë që ta kuptojë se s’duhet ngatërruar ish qeveria e stabilitetit me nocionin e një bashkëpunimi midis të majtës e të djathtës. Nuk ka se si të ngatërrohet një makinacion kulisash me një traktat social e politik të cilin sot për sot pjesa e “ndjeshme”e elektoratit të PD është ende pak e predispozuar që të presë pozitivisht.
Sipas perceptimit tuaj do të doja të dija se ç’vend zë në politikë e praktikisht në skenën shqiptare “oponenca”dhe fenomeni i saj?
Është fakt që gati në të gjithë spektrin e sotëm politik ka pasur fërkime të natyrave të ndryshme si rezultat i mendimit oponent. Mendimi oponent dhe sidomos ai i rinisë, sot është ndër më shqetësuesit për kupolat partiake gjë e cila ka shtyrë mjaft teoricienë mediokër që në trajtimin e fjalës “oponencë”ta barazojë atë me kundërshtarin politik, fraksionin shkatërrues etj. Realisht oponenca nuk ngrihet mbi bazën e fjalës “kundërshtim”se sa mbi parimin e pikëpamjes së njëjtë. Nëse një nga anët e politikës do të ishte gara intelektuale, duket qartë se aty oponenti është më se i justifikuar në fenomenin e tij. Po kaq e vërtetë është se në historinë e Shqipërisë Ballkanike oponentët kanë pasur keqtrajtim sepse pikërisht historia e ka vënë vendin tonë dhe politikën e tij në kufijtë e dy ekstremeve “o andej, o këndej” pothuajse gjithmonë. Kjo ka bërë që roli i oponentëve të ketë qenë i lidhur shpesh me tradhtinë ose oportunizmin zhburrërues. Dhe deri diku kjo e ka arsyetimin e vet. Oponenca shqiptare ka faqe të ndritshme ashtu siç ka faqe të papastra dhe me njolla kafenesh, ku politikanë të ndryshëm për inate personale apo ambicie intelektuale u kanë kryer me dashje ose pa dashje kundërshtarëve të tyre politikë (e bile edhe armiqve kombëtarë) shërbime të tilla që edhe sot pak mund të merren me mend. Kështu që ekzistenca e zhgënjimeve të ndershmërisë shqiptare të cilën e ka sjellë roli i shumë oponentëve në historinë tonë, bën edhe sot efekti “oponencë”të pritet me mosbesim dhe ndonjëherë me ftohtësi e inat. Siç e thashë më sipër, kjo e ka shpjegimin e vet, i cili vjen qysh nga e kaluara dhe që ndoshta fillon me ikjen e Moisi Golemit, krahu i djathtë i Skënderbeut legjendar. Historia jonë turbullohet vërtet shumë, përpara ikjes së Moisi Golemit, po aq sa edhe kur ai për efekte të panjohura u paraqit sërish përpara Skënderbeut por këtë radhë i lidhur edhe me kularin e kuq, të turpit në qafë. Vepra e Moisi Golemit vjen si një paralajmërim në ditët tona për të treguar se çdo oponent do të ndodhet përpara psikologjisë së “kularit të turpit” në qafë. “Kulari i turpit”, kjo është sfida e një oponenti dhe po aq një nga sfidat kryesore të rinisë dhe të qytetërimit i cili po troket në Shqipëri.