Kule e Rrokaj paraqesin në Kuvend vërejtjet për ligjin e arsimit të lartë

Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit mbi projektligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule theksoi se Universiteti i Tiranës, ka qenë gjithmonë aktiv në shqyrtimin e reformës në arsim që nga viti 2014.

“Vlerësoj faktin se në këtë seancë dëgjimore komisioni, Universitetin e Tiranës e ka veçuar pozitivisht dhe pjesë e përgjegjësisë sonë dhe vlerësimit që keni bërë ju, ne sot do të paraqesim qëndrimin institucional të Universitetit të Tiranës, në lidhje me projektligjin për arsimin e lartë. Qëndrimi i Universitetit të Tiranës ka qenë gjithë kohës, që kur filloi ideja e reformimit, bashkëpunues efektiv dhe institucional.

Në të gjitha rastet kur filloi drafti i parë, Universiteti i Tiranës është angazhuar në mënyrë institucionale me gjithë strukturat e veta. Pra nuk është artikuluar si mendim individual i autoriteteve të niveleve të ndryshime, por i gjithë strukturave të Universitetit të Tiranë dhe konkretisht, i kemi formalizuar qëndrime me vendimet në Senat, duke filluar që nga vendimi i majti të vitit 2014, pasi u paraqit drafti i parë i projektreformës.

Po kështu gjatë këtij viti kemi dhe  dy qëndrime të senatit. Kemi vënë në dispozicion të komisionit përkatës edhe një material shumë efektiv që ka qenë vlerësimi që shoqata për arsim politik në Këshillin e Europës i ka bërë ligjit ekzistues.

Një skaner jashtëzakonisht për të parë se si duhet të orientohet legjislacioni, cilat janë defektet dhe problematikat e ligjit ekzistues në mënyrë që projekti i ri të orientohej në atë drejtim që e bënë ligjin evropian, universitetet autonome, efektive në funksion të cilësisë dhe standardeve cilësore", theksoi Kule.

Ndërsa dekani i fakultetit të Filologjisë, Shezai Rrokal listoi disa problemi si financimi i universiteti i cili nuk garanton në masën 100% të pagave të stafit akademik.

“Ajo që na ndodh shpesh të gjithëve, është fakti se, ndërkohë që ne synojmë të bëjmë ligje sa më të mira, madje duke parë edhe se si i kanë vende shumë të zhvilluara, realiteti ynë, nganjëherë nuk i përgjigjet kësaj pritje.

jo s’do të thotë që ne s'duhet të synojmë për të bërë ligje që na integrojnë sa më shpejt në Bashkimin Europian, por siç thotë populli “duhet të ecim me këmbë në tokë”.

Aktualisht universiteti sipas statistikave të dhënë nga studimi për reformën merr vetëm 0.6% të GTP dhe arsimi në tërësi me përjashtim të vitit 2008 që u shoqërua me një rritje të pagave të mësuesve nuk ka kaluar më shumë se 3.84%, statistika këto të marra nga Ministria e Financave.

Që do të thotë se në qoftë se arsimin e kemi prioritar si në qeverisjes e mëparshme si në këtë tani, duhet të shikojmë gjërat ballë për ballë dhe të themi nëse ne kemi mundësi të financojmë apo kemi edhe halle më të mëdha. Jemi në momente krizash, shoqërua shqiptare ka dhe probleme të rëndësishme siç pato ato për energjinë e kështu me radhë, që nuk e ka për momentin atë mundësi që do të donte të financonte për arsimin.

Por në gjë duhet ta garantojë dhe kjo buron nga detyrimi kushtetues i autonomisë që rregullohet nëpërmjet parimit siç e tha rektori, e mirë publike dhe përgjegjësi publike.

Përgjegjësi publik do të thotë që shteti ka detyrimin të garantoj funksionim bazë të arsimit të lartë i cili duhet të shprehet në ligj kjo gjë, e cila duhet të fokusohet në dy gjëra, në sistemin e pagave i cili nuk mund ti lihet fondeve të kushtëzuara të garantuara nga universiteti, por duhet të garantohet nga fondi i buxhetit që vjen nga fondi i shtetit nga njëra anë, dhe na ana tjetër ato që quhen shpenzime kapitale të mëdha të cilat universitetet nuk kanë mundësi që t’i arrijnë”, tha Rrokaj.

Më pas seanca dëgjimore vijoi edhe me Këshillin Studentor. Shqyrtimi i projektligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” do te vijojë në mbledhjet e ardhshme të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

SHKARKO APP