Kultivim bimësh narkotike, prangoset 25-vjeçari në Kurbin
Vihet në pranga një person në Kurbin, pasi kultivoi bimë narkotike.
Policia ka vënë në pranga shtetasin E. Z., 25 vjeç, banues në Mamurras dhe ka sekuestruar edhe një armë gjahu pa leje.
“Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit me dronë dhe me këmbë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në fshatin Goleme, Mamurras, Kurbin, në një pronë publike, disa bimë narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasin: E. Z., 25 vjeç, banues në Mamurras.” – njofton policia.
Gjatë kontrollit të banesës, këtij shtetasi iu gjet dhe një armë gjahu pa leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.