Kultura epistemike e mendjes autokratike-klanore si drejtuese e projektit “Enciklopedia shqiptare”

Nga: Arben Hoxha

Rasti i Kosovës dhe Shqipërisë është një provë e mirë që vërteton faktin se si modeli i sistemit qeverisës liberal-demokratik, me mekanizmat e tij formalë, nuk mund ta përmbysë me një të rënë të lapsit logjikën e kulturës autokratike-klanore me të cilën funksionojnë institucionet e dijes. Nëse sistemi demokratik-liberal prodhimin e dijeve dhe shpërndarjen e tyre e bazon në kulturën e tregut, në Kosovë e Shqipëri është kultura e hierarkisë klanore ajo që e përcakton natyrën e dijes, orientimin e prodhimeve, vlerave diturore dhe shpërndarjen e tyre

Niveli i organizimit dhe funksionimit të një shoqërie është në ndërvarësi reciproke me nivelin dhe aftësitë e njohurive që ajo shoqëri ka për veten dhe në raport me botën. Sociologjia e dijes, e filluar nga Max Scheleri me veprën “Format e dijes dhe shoqërisë” (“The Forms of Knowledge and Society”), për t’u pasuar nga Karl Manhajmi me veprën “Ideologjia dhe utopia” (“Ideology and Utopia”), do të sjellë një mënyrë të re të të kuptuarit të marrëdhënies së dijes me shoqërinë, me ç’rast dija dhe praktika shoqërore shikohen në marrëdhënie reciproke të konstituimit të ndërsjellë të njëra-tjetrës.
Kultura, si një aspekt themelor i shoqërisë, dhe kultura organizative e bashkësive, si aspekt operacional i realizimit të kulturës (në kuptimin e përgjithshëm), është një faktor i rëndësishëm, i cili ndikon në përcaktimin e natyrës së dijes, prodhimin, vlerësimin e rëndësisë si dhe për shpërndarjen e saj.

Projekti nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare” është një dëshmi se si aftësitë për përcaktimin qëllimeve dhe mjeteve njohëse përcaktohen nga modeli mbizotërues kulturor i mendjes.

Cili është kriteri dhe qëllimi i hartuesve të “Platformës së Enciklopedisë shqiptare”? Në kohën e “kultit” të “dijeve të specializuara” pse është i nevojshëm realizimi i një projekti të dijes gjithëpërfshirëse, siç është Enciklopedia? Cili është qëllimi dhe funksioni i tij për mirëqenien intelektuale të kombit shqiptar? Cilat mjete epistemike janë përcaktuar për realizimin e qëllimit të Enciklopedisë?

Modelet kulturore të mendjes si përcaktues të natyrës së dijes

Duke e parë marrëdhënien e dijes me pushtetin, Pierre Bourdieu thotë se pushtetet nuk ndërtohen vetëm vertikalisht, nga lart-poshtë, por edhe kulturalisht përmes praktikave, të cilat ndikohen nga sfondi kulturor i formimit të individëve (P. Bourdieu, “The Logic of Practice”, 1980, fq. 86). Modeli kulturor i mendjes, si habitus prej nga buron dija, jo gjithnjë është i ndërvarur nga modelet qeverisëse politike. Modelet kulturore të mendjes, si përcaktuese të mënyrave se si individët brenda një shoqërie i interpretojnë përvojat e tyre të brendshme dhe ato të të tjerëve dhe si ata i ndërtojnë mekanizmat e ndërveprimit shoqëror, ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si formohet dhe shpërndahet dija në shoqëri të ndryshme. Fuqia e modelit kulturor të mendjes, shkon përtej fuqisë së mekanizmave formalë të një sistemi qeverisës që e garanton mënyrën e caktuar të funksionimit të rendit institucional e shoqëror. Varësisht karakterit të zhvillimit të një shoqërie, modelet kulturore të mendjes mund të jenë në marrëdhënie ndërveprimi me modelet qeverisëse, por jo rrallë, këto modele i nënshtrohen një dinamike komplekse kundërshtimi e mospajtimi me njëra tjetrën.
Shoqëria shqiptare (brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Kosovës dhe jashtë tyre), me zhvillimin e saj atipik e policentrik, në këtë fillim shekulli të ri, përbën rastin tipik të ndeshjes midis modelit kulturor të mendjes autokratike-klanore me modelin qeverisës liberal-demokratik: të ndeshjes midis mentalitetit kolektivist dhe mentalitetit individualist; të ndeshjes midis komunikimit verbal të qëllimeve, të besimeve dhe bindjeve epistemike të konkluduara pa shqyrtim analitik të grupit të ngjashëm me strukturën e familjes që synon të ketë monopolin “familjar” të “prodhimit” dhe shpërndarjes së dijeve, dhe komunikimit racional analitik të subjekteve individuale mendore, të cilët mbështeten dhe drejtohen nga arsyeja, si fakultet suprem që i përcakton parimet njohëse a priori dhe forcën e racionalitetit dhe objektivitetit të vlerës dhe qëndrueshmërisë së dijeve. Përderisa modeli qeverisës liberal-demokratik e nxit ndryshimin në përputhje me kontekstet e reja që prodhojnë nevojat e reja për zgjerimin e kufijve të lirisë dhe të mundësive të reja çliruese ekzistenciale për individin dhe shoqërinë, modeli i kulturës së mendjes autokratike-klanore është rezistues ndaj çdo ndryshimi.

Nëse për sistemin qeverisës demokratik-liberal, nepotizmi është kanceri për funksionimin e sferës publike, për kulturën autokratike-klanore nepotizmi si koncept negativ, përpos që është i panjohur, ai është edhe i refuzueshëm, sepse është thellësisht kufizues dhe i rrezikshëm për interesat e klanit. Shoqëria shqiptare, e dominuar nga kultura autokratike-klanore, është e zhytur gjithpërfshirshëm në nepotizëm, sepse për kulturën autokratike-klanore nepotizmi është kusht i ekzistencës dhe vijimësisë së vlerave dhe qenies së saj.

Rasti i Kosovës dhe Shqipërisë, është një provë e mirë që vërteton faktin se si modeli i sistemit qeverisës liberal-demokratik, me mekanizmat e tij formalë, nuk mund ta përmbysë me një të rënë të lapsit logjikën e kulturës autokratike-klanore me të cilën funksionojnë institucionet e dijes. Nëse sistemi demokratik-liberal prodhimin e dijeve dhe shpërndarjen e tyre e bazon në kulturën e tregut, në Kosovë e Shqipëri është kultura e hierarkisë klanore ajo që e përcakton natyrën e dijes, orientimin e prodhimeve, vlerave diturore dhe shpërndarjen e tyre.

Mendja autokratike-klanore e ka kulturën e vet epistemike, e cila njohuritë i transmeton, jo sipas rregullave e standardeve shkencore, të racionalitetit dhe objektivitetit, por përmes ndërveprimeve të bindjeve dhe besimeve ndërpersonale të anëtarëve të klanit. “E vërteta shkencore” e udhëheqësit të klanit është ligj i detyrueshëm për gjithë anëtarët e grupit. Mendimi kritik racionalisht i argumentuar, jo vetëm që është inekzistent, por edhe i padobishëm, sepse tejet cenues dhe i rrezikshëm për vetëdijen e mbyllur klanore.

Paaftësia e kulturës epistemike e mendjes autokratike-klanore

Kultura epistemike, si pjesë përbërëse e modelit të kulturës së mendjes  autokratike-klanore, logjikën e vet e shfaq jo vetëm në praktikën shoqërore, por edhe me pikëpamjen “teorike” për marrëdhënien me dijen. Një logjikë e tillë bëhet më se e dukshme në praktikën e modeleve teorike për praktikën e dijes që ajo synon ta vendosë dhe zbatojë.

Projekti “Enciklopedia shqiptare” (2023), është qenia e shfaqjes së thelbit të paaftësisë së kulturës epistemike të mendjes autokratike-klanore në jetën shqiptare. Ajo shtrihen nga paqartësia dhe kundërthëniet në përcaktimin e qëllimit dhe funksionit të hartimit të “Enciklopedisë”, te mungesa e kuadrit konceptual teorik, te përbërja e anëtarëve të redaksive dhe te mungesa e etikës profesionale.
Në “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës” e nënshkruar më 20 qershor 2022, e cila është një nga dokumentet juridike administrative, të përfshira në “Dokumente të projektit Enciklopedia Shqiptare”, e publikuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 2023, Enciklopedia shqiptare parashihet të “hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqesh për vëllim”. Në nenin 1. (Qëllimi dhe objekti) të kësaj marrëveshjeje thuhet se “Qëllimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi është financimi i përbashkët i projektit madhor në albanologji, Enciklopedia Shqiptare, vepër themelore me karakter njësues dhe promovues”. Në dokumentin “Platforma e Enciklopedisë Shqiptare”, në pjesën e saj të titulluar “Kriteret e përfshirjes”, që në krye të paragrafit të fundit thuhet se “Enciklopedia Shqiptare do të përfshijë tërësinë e botës shqiptare”. Në dokumentin “Kriteret shkencore për të zbatuar nga redaksitë dhe autorët në procesin e hartimit të Enciklopedisë Shqiptare” e datës 7 prill 2023, nënshkruar nga dy Akademitë (e Kosovës dhe e Shqipërisë), në pikën 1. të Pjesës 1/Kriteret e përgjithshme, thuhet: “ESh është një projekt kolektiv me karakter etnoidentifikues e etnodallues, e vlerësuar prej bashkëhartueseve të saj si një vepër ekumenike (përbashkuese); si një arritje shkencore që përfaqëson një konventë mendimi e vlerësimi kombëtar për trashëgiminë dhe identitetin shqiptar”. Ndërsa, në pikën 7. të Pjesës 1/Kriteret e përgjithshme, thuhet se: “ESh ka për qëllim të shërbejë si një libër identiteti në kuadër të familjes europiane të popujve në një të ardhme të afërme të përbashkët”.

Prej pikave të lartcekura vërehet se Projekti i proklamon qëllimet kulturore e politike, por aty nuk përmenden askund qëllimet epistemologjike. Cili është roli i Enciklopedisë në raport me informacionin, të vërtetën dhe të kuptuarit? Mungesa e qëllimeve epistemologjike, planhartuesit e Enciklopedisë i fut në kundërthënie logjike. Në njërën anë, flitet për domosdoshmërinë e zbatimit të “kritereve shkencore” të “kritereve unike”, por, në rastin tjetër, në mënyrë eksplicite, thuhet se enciklopedia “nuk e synon shkencën e mirëfilltë” (shih dokumentin “Udhëzues praktik për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare”, fq. 64.). Pse duhet zbatuar rigorozisht “kritere shkencore” e “kritere unike” për një ndërmarrje që “nuk e synon shkencën e mirëfilltë”? Qëllimi epistemologjik i hartimit të enciklopedive – për aq kohë sa njerëzimi nuk do të lirohet nga nevoja e të kuptuarit të së vërtetës dhe realitetit – ka qenë dhe do të mbetet organizimi i njohurive dhe nevoja e angazhimit kritik kundrejt informacionit që ato sjellin. Organizimi i shumëllojshmërive të njohurive, siç ndodh me çdo enciklopedi serioze, është i pamundur pa një kuadër konceptual teorik të prodhuar nga arsyeja, si fakultet i parimeve për klasifikimin dhe sistematizimin e të gjitha njohurive në një tërësi unike. Kuadri konceptual teorik është kusht për vendosjen e rregullsisë dhe unitetit kuptimor që informacionet e përfshira në enciklopedi mos të jenë kaotike e të karakterit pasiv, por të strukturuara e aktive për nxitjen e të menduarit dhe të kuptuarit të realiteteve kritikisht. Theksimi i kritereve të jashtme metodologjike të pambështetura në një kuadër konceptual të qartë teorik (dhe aq më keq kur ato kuptohen si kategori të njëjta të të menduarit), për pasojë do të krijojë kaos në organizimin e lëndës informuese enciklopedike.

Pikëpamja integraliste përballë pikëpamjes partikulariste

Prej dokumenteve administrative, të planifikimit “shkencor” e të kritereve “shkencore” të përfshira në “Dokumente të projektit Enciklopedia Shqiptare” theksohet mbizotërueshëm nevoja e zbatimit të kriterit integralist, gjë kjo shumë e dëshirueshme dhe e mirëpritur. Pikëpamja intergaliste në dhe për botën shqiptare mund të jetësohet vetëm përmes kategorive cilësore të kriterit ontologjik. Koncepti i integralitetit  në “Dokumentet e projektit ESH” nuk shfaqet si kategori cilësore e kriterit ontologjist-njohës të prejardhur nga fakulteti i arsyes, i cili do t’i përcaktonte edhe do t’i orientonte kriteret teoriko-epistmologjike e metodologjike, por si kategori sasiore përfytyrimore e kriterit politik, në bazë të të cilit do t’i jepet përparësi “përvojave përbashkuese” në raport me “përvojat e ndryshme të ndërtimit të shoqërive (lexo: shqiptare –  A.H.) dhe “krijimit të subjektivitetit të tyre (lexo: shoqërive – A.H.) politik e kulturor”. Platfomëhartuesit e Enciklopedisë Shqiptare integralitetin, në vend së ta konceptojnë si një kategori ontologjike-njohëse për kuptimin e thellë të gjithë kontekstit të përvojës të njësishme të botës shqiptare, e konceptojnë si kategori relacionale të përvojës shqisore për përshkimin e shumëllojshmërive të jashtme të “përvojave të ndryshme” të botës shqiptare. A nuk është kjo një hapësirë konceptuale për kontrabandimin epistemologjik të pikëpamjes partikulariste brenda pikëpamjes integraliste për botën shqiptare? Si mund të flitet për “krijimin e subjektivitetit të tyre politik e kulturor” në një projekt, i cili, deklarativisht, synon që subjektin shqiptar ta shfaqë me subjektivitetin e vet unik në botë?

Pse mos të ndodhë kjo kundërthënie? A nuk janë disa nga hartuesit e “Platformës…”, disa nga redaktorët e anëtarët e redaksive, sidomos ata të Kosovës, të cilët, këto, së paku, njëzet vjetët e fundit, në konferenca e në tribuna shkencore, në punime e libra “shkencorë” janë bërë altoparlantë të idesë së të ashtuquajturit “komb kosovar”, të “identitetit kosovar”, të idesë për “dëmin” që ka sjellë njësimi i gjuhës shqipe; të hartimit të “historisë kosovare” të veçuar nga historia e përgjithshme shqiptare, të “identitetit letrar kosovar” etj. etj. Cila është etika profesionale e këtyre njerëzve? Si mundet që njerëzit, të cilët bindjen dhe besimin e tyre epistemik për qenien shqiptare e bazojnë në pikëpamjet partikulariste dhe me përkushtim, vullnetshëm dhe pandalshëm, kanë punuar e punojnë për “krijimin e subjektivitetit politik e kulturor” të “shoqërive shqiptare”, ndërsa, nga ana tjetër, pranojnë të përfshihen në një projekt, i cili synon të realizohet duke pasur për qëllim “përbashkimin” dhe afirmimin e subjektivitetit të qenies unike shqiptare në botë? A mos ndoshta kemi të bëjmë me ndryshimin revolucionar të pikëpamjeve brenda këtyre mendjeve? Assesi jo!

Aspiratat partikulariste të kulturës së mendjes autokratike-klanore bëhen të dukshme edhe me kriterin jo proporcional të numrit të anëtarëve të përfaqësuar në Redaksinë Qendrore. Në dokumentin “Platforma e Enciklopedisë Shqiptare” është paraparë që struktura redaksionale e “Enciklopedisë” të përbëhet nga pesë anëtarë të redaksive vendore nga Tirana dhe pesë të tjerë nga Prishtina, pra gjithsejtë dhjetë anëtarë. Ndërsa për “botën shqiptare” të Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut, të Luginës së Preshevës, të arbëreshëve dhe diasporës, mendja autokratike-klanore platformëhartuese ka “rezervuar” vetëm një vend përfaqësimi.

Pranimi formal i pikëpamjes integraliste, si qëllim politik i vendosur nga Qeveritë shqiptare dhe i materializuar në dokumentin “Marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” e datës 20 qershor 2022, është hapësira për subversion të vlerave diturore të kulturës së mendjes autoratike-klanore shqiptare mbi dijen shqiptare, qëllimi i së cilës është normativizimi e standardizimi i dijes ekzistuese të prodhuar nga pikëpamja partikulariste (lexo: krahinore, politike, klanore). Mendja autokritike-klanore karakterin ontologjik të pikëpamjes intergraliste e zhvleftëson në nivelin e kriterit formal politik me qëllim që të krijojë fushëveprim të lirë për kriteret e jashtme metodologjike, e të cilat e përligjin fushëveprimin e vet në gjithë procesin e hartimit të Enciklopedisë Shqiptare, qoftë edhe me aspiratën për territorializimin e dijes. Ja një shembull: Në dokumentin me titull “Udhëzues/ Për përcaktimin e kritereve-bazë për ndarjen e punëve midis dy redaksive vendore, si dhe të fushës së veprimit të tyre”, në pikën 2.3. thuhet: “Ngjarjet me karakter historik mbarëkombëtar deri në themelimin e shtetit shqiptar janë përparësi e redaksisë vendore në Tiranë”. Siç shihet, kur kriteri i territorialitetit bëhet bartës i kompetencës për dijen, hapet dera që “ngjarjet me karakter historik lokal të jenë përparësi e redaksive të mëhallëve”.

Për shkak se në “Dokumente të projektit të Enciklopedisë Shqiptare” kriteri integralist konceptohet si një kriter i jashtëm politik, e jo ontologjist-njohës, edhe përcaktimi i kritereve metodologjike do të jetë i karakterit të “jashtëm”, si bie fjala: në pikën 11. “Përzgjedhja dhe shkallëzimi i lëndës enciklopedike (personalitete, fakte, zhvillime, ngjarje, dukuri, trashëgimi të tjera)…; ose në pikën 12. Shkallëzimet e madhësisë së përfaqësimit në artikuj monografikë, të mëdhenj, të mesëm, të vegjël…”; ose zbatimin e “rendit alfabetik” të artikujve (shih, pika 14.).

koha.net

SHKARKO APP