Kundër ligjit për arsimin e lartë, studentët protestojnë sot para Kryeministrisë

 

Studentët e Universitetit të Tiranës do të protestojnë sërish sot kundër ligjit për arsimin e lartë. Marshimi i studentëve do të nisë në orën 11:30 nga Korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës drejt Kryeministrisë.

Protesta e drejtuar nga Lëvizja Universitare ka për qëllim rrëzimin e ligjit të miratuar në Kuvend.

Sipas tyre, ligji i arsimit të lartë i miratuar pak muaj më parë po shtron udhën e një dhune të shumëfishtë ndaj universitarëve.

“Dhe aty ku dhunohen universitarët, dhunohen të gjithë qytetarët të cilët te jeta universitare kërkojnë alternativat e një shoqërie më të drejtë.Të mblidhemi si asnjëherë më parë në historinë e protestave të pavarura të këtyre dekadave për të mbrojtur dhe zhvilluar publiken, universitetin, të drejtat themelore të qytetarëve për arsim cilësor dhe të përballueshëm ekonomikisht!”

Studentët protestojnë sot:
– Kundër reformës klienteliste në arsimin e lartë që varfëron universitetet publike për të privilegjuar privatet.

– Kundër efekteve të privatizimit të jetës universitare publike që ndihen prej vitesh: rritjes së tarifave, gjobitjes së studentëve për provime, dhunës së burokratëve universitarë dhe, së fundmi, dhunës së policisë së një shteti privat.

– Kundër shpërfilljes qeveritare për kushtet e studimit dhe të jetesës studentore, njëra më mjerane se tjetra.

– Kundër borxhit skllavërues studentor.

– Kundër pushtimit të universiteteve publike nga tregtarë dhe burokratë të korruptuar.

– Kundër përjashtimit të studentëve nga vetëqeverisja universitare.

– Kundër katandisjes së infrastrukturës fizike dhe mësimore të shumë fakulteteve publike të lëna në baltë nga një qeveri që investon gjithnjë e më pak për arsimin, dhe atë pak e orienton në xhepat e privatëve.

– Për rrëzimin e reformës klienteliste dhe hapjen e një procesi të ri reformues ku peshën kryesore ta kenë universitarët.

– Për universitete që prodhojnë dije dhe i shërbejnë zhvillimit shoqëror dhe demokratik të vendit.

– Për universitete ku studentët hyjnë e dalin vetëm sipas meritës studimore dhe jo kapacitetit për të paguar.

– Për ulje të vitpasvitshme të tarifave drejt arsimit publik falas.

– Për rritjen e investimeve publike në përmirësimin e kushteve të studimit dhe të jetesës studentore

– Për universitete të vetorganizuara demokratikisht ku zëri kryesor u takon studentëve dhe pedagogëve dhe jo qeveritarëve, tregtarëve dhe burokratëve.

SHKARKO APP