Kupa sportive 65 vjet UT, Veliaj: Viti si Qyteti Europian i Sportit, mundësi për promovimin e Universitetit të Tiranës

65-vjetori i Universitetit të Tiranës është konceptuar në një garë sportive mes ekipeve të volejbollit, por dhe basketbollit të 6 fakulteteve. Kupa Sportive 65 Vjet UT ka startuar ditën e sotme në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” Tiranë, ku të pranishëm ishin dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Veliaj i cili u ka uruar studentëve, por dhe pedagogëve e dekanëve përvjetorin e 65-të të Universitetit, tha se ende sot pas 30 vitesh që lulëzojnë edhe universitetet private, Universiteti i Tiranës vijon të mbajë stafetën si më i miri në Shqipëri. Për këtë të fundit kreu i Bashkisë tha se mundësia më e mirë është titulli i Tiranës që vitin e ardhshëm do jetë Qyteti Europian i Sportit.

“Këtë vit, Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. Duke filluar nga java tjetër, ne do fillojmë të kalojmë stafetën tek qyteti i radhës dhe lajmi i mirë është që nuk do ndalojnë këtu aktivitetet, sepse vitin tjetër Tirana do jetë Qyteti Europian i Sportit, kështu që duam që UT-ja të jetë epiqendra e të gjithë aktiviteteve sportive.

Të jetë vendi ku organizojmë kampionate, të jetë vendi ku organizojmë gara të ndryshme e ta përdorim vitin kur jemi Qyteti Europian i Sportit edhe si një marketing i jashtëzakonshëm për UT-në, për t’iu treguar të gjithëve që është universiteti, jo vetëm më i madh, jo vetëm më i vjetër, por edhe më i mirë në Republikën e Shqipërisë, universiteti ynë, Universiteti i Tiranës. Gëzuar të gjithëve! Ju uroj shumë sukses! Fitoftë më i miri, por mbi të gjitha u lartësoftë emri, dija dhe suksesi i Universitetit të Tiranës! Edhe 165 të tjera”.

SHKARKO APP