”Kuq e zi” në Hagë, Krasniqi: Akuzat lëndojnë më shumë se torturat e Serbisë

Këtë të mërkurë, në ditën e tretë të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Jakup Krasniqi mbrojti pafajësinë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. “Kam jetuar një jetë me dinjitet dhe dua të vdes me dinjitet”.

Me kravatën e stolisur me simbolet e flamurit kombëtar me shqiponjën dykrenare dhe ngjyrën e kuqe, shpesh mjaft emocional, rrëfeu absurditetin e aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së tha se është e pakuptimtë të pretendohet se ai ka përndjekur anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur ai vetë dhe familjarët kanë qenë anëtarë të kësaj partie.

“Çdo njeri që flet të vërtetën do të thotë se unë, Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha Krasniqi.

Krasniqi mes lotëve rrëfeu torturat e rënda që ka përjetuar nga regjimi serb gjatë viteve 80’ duke thënë se ishte dhunuar në nivele të paimagjinueshme, teksa kërkoi që shënimet dhe opinionet e marra nga shtëpia e tij në Kosovë të mos keqpërdoren nga Prokuroria dhe Gjykata Speciale.

Me këtë seancë u përmbyll dhe faza e deklaratave hapëse të prokurorisë speciale dhe të katër ish krerëve të UÇK-së. Më herët në sallë refuzuan të gjitha akuzuat dhe kërkuan pafajësinë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Seanca e radhës do të mbahet të martën që vjen, ku pritet që të niset me thirrjen e dëshmitarëve. Katër ish krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgimin e Hagës që nga nëntori i vitit 2020, dhe ndaj tyre pretendohen 10 akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

SHKARKO APP