Kur do ikë shqiptari i fundit

Fejton nga Hyskë Borobojka

Kur del tetori dhe hyn nëntori, herë me të ftohtë, me ditët më të shkurtra e netët me të gjata, në ekranet televizive, në emisionet televizive e në faqet e gazetave ,çdo orë e ditë vazhdon një debat i madh. Kryefjala e tij është “Kur u çlirua Shqipëria, më 28 apo më 29 Nëntor?”. Ky mit përsëritet sa herë ndërrojnë portat politikanët, pozita dhe opozita.

Këtë problem duhet ta zgjidhin historianët!- thonë. Dhe një takëm ç’është e vërteta, nuk kanë munguar e përtuar të vihen në aktivitet e ta vënë ujët në zjarr. Në vitin 1992 Instituti i Historisë, si bëri studime të thella e mblodhi andej këtej dokumente e fakte të “pakundërshtueshme”, vërtetoi, pa pikë dyshimi se Shqipëria është çliruar më 28 Nëntor 1944. U ndërruan qeveritë në vitin 1997. Opozita socialiste u bë pozitë dhe pozita demokratike u bë opozitë, kur për çudi, i njëjti Institut Historie (që e kthen gunën nga fryn era), me fakte e dokumente të “vërteta” vërtetoi se gjermani i fundit e ka kaluar Hanin e Hotit për në Jugosllavi më 29 Nëntor 1944.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kaluan disa vite dhe përsëri forcat politike i ndërruan portat dhe përsëri u shfaq problemi i vjetër. Kur është çliruar Shqipëria, më 28 Nëntor apo më 29? Në disa studio televizive me emër u bënë bashkë disa nga historianët më të thekur, studiuesit më të ditur e analistët përmbi analistë, të cilët, si zunë vend në kolltukët e butë të studiove televizive, me dosje e karta në duar, me fakte, dokumente e argumente, sipas partive e forcave politike që përfaqëson filluan t’i jepnin zgjidhje këtij problemi të koklavitur, që s’po e zgjidhin dot një çerek shekulli.

Swiss Digital Mobile Reklama

-Shqipëria u çlirua më 29 Nëntor 1944. Këtë nuk e lot dot as topi. Kam dokumente gjermane, angleze, madje dhe amerikane! – ngul këmbë njëri.

-Nuk është e vërtetë! – e kundërshton tjetri. Dokumentet që kam zbuluar unë e i kam në dosje, vërtetojnë, pa pikë dyshimi, se gjermani i fundit ka ikur nga Shqipëria një orë para mesnatës të 28 Nëntorit 1944. Madje, siç tregojnë dokumentet e mia, atë mbrëmje binte një shi i rrëmbyer.

-E ke gabim, zoti analist e historian bashkë. Ndreq gojën. Unë jam analist përmbi analistët e historian përmbi historianët. Çlirimi i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë është 29 Nëntori i vitit 1944..

Pse qenka 29 Nëntori?

-Po kush?!

-Kartat e mia, që kam në dosje vërtetojnë si dy e dy që bëjnë katër se Shqipëria e gëzoi lirinë më 28 Nëntor! – vazhdon tjetri.

Në studiot televizive loja e kungulleshkës vazhdon herë me zë të lartë e herë me zë të egër.

-Prisni të marrim opinionin e disa qytetarëve për këtë problem që s’po e zgjidhim dot.!- ndërhyn drejtuesi i emisionit.

Në ekranin e televizorit paraqitet një gazetare me mikrofon në dorë, që ka zënë një nga rrugët e kryeqytetit dhe pyet çdo njeri që i del përpara, pa dallim moshe e seksi.

-E dini, zoti qytetar kur është çliruar Shqipëria? – pyet ajo.

-Më ka pas thënë baba, se vendi ynë është çliruar më 29 Nëntor 1944!

Pas tij përpara mikrofonit të gazetares paraqitet një çupulinë. Edhe ajo nuk i shpëton dot pyetjes së gazetares për datën e çlirimit të vendit.

-Mua më ka thënë gjyshja, që e kam nga Shkodra, se Shqipëria e gëzoi ditë e lirisë më 28 Nëntor!

Përpara gazetares me mikrofon në dorë kalojnë qytetarë të ndryshëm, si dhentë në shtrungë. Një zonjë apo zonjushe pyetjes së saj, kur është çliruar Shqipëria, iu përgjigj:

-Kur vazhdoja shkollën, fillore zysha na tha: Dëgjoni ju goca e ju çuna dhe mos e harroni kur se vendi ynë e fitoi lirinë më 28 Nëntor 1944. Kur vazhdova shkollën 9-vjeçare, mësuesi, që na jepte historinë e Shqipërisë na tha se vendi është çliruar më 29 Nëntor. Në shkollën e mesme, i njëjti mësues na tha se vendi ka fituar lirinë më 28 Nëntor. Kur vazhdova fakultetin pedagogu i historisë na shpjegoi gjerë e gjatë se Shqipëria është çliruar më 29 Nëntor 1944. Nuk e di çdo na thonë kur të paraqitem për të marrë masterin?!,- shpjegoi ajo.

Kur iku gjerbni i fundit nga Shkodra, ditën apo një orë pas mesnatës, i përket të kaluarës. Por unë, i vetëqojturi Hyskë Borobojka, duke parë si po ikin shqiptarët nga vendi i tyre e po enden nëpër botë për të siguruar jetesën, nuk e di në ka ndonjë studjus përmbi studiuesit, analist përmbianalistët, parashikues përmbiparashikuesët, historian përmbihistorianët që të më thotë kur do të ikë qytetari i fundit nga Shqipëria?!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?