Kur do të jetë përplasja kokë me kokë Rama-Blushi?

 

Nuk duhej të ndodhte, por ja që ndodhi. Kryeministri Edi Rama sot pasdite prezantoi kandidatin e së majtës për Bashkinë e Elbasanit, Qazim Sejdinin. Nuk lajmëroi Ben Blushin të ishte në takim si deputet i Elbasanit. Kështu thotë të paktën Blushi. Kryeministri shoqërohej nga kreu i LSI-së Ilir Meta dhe të dy bashkë kërkuan para qytetarëve mbështetje për kandidaturën e Sejdinit, i cili është në kërkim të mandatit të tretë.

Por ajo që ra në sy gjatë këtij takimi, ishte mungesa e deputetit Ben Blushi, i cili është edhe kryesuesi i deputetëve të Qarkut Elbasan. Rama e ka shmangur Blushin nga ky takim elektoral në Elbasan. I kontaktuar nga media deputeti Blushi thotë se nuk kishte asnjë njoftim për këtë aktivitet. Blushi thekson se nëse do të njoftohej, patjetër që do të ishte prezent. Rama ka krijuar një praktikë, që për prezantimin e kandidatëve për bashkitë, shoqërohet nga deputetët kryesues të listës së qarkut përkatës. Në rastin e Elbasanit kjo praktikë nuk u ndoq.

 

Por mesa duket, mënjanimi i Blushit nga ana e Ramës është i qëllimshëm, për shkak të kritikave të tij për qeverinë dhe projektin e “Rilindjes”. Dy shkrimet e Blushit “Funerali i Rilindjes” dhe “Letër një socialisti”, i dhanë një “shuplakë” të fortë kryeministrit dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Tre ditë më parë vetë Blushi ishte në Elbasan për ditën e dëshmorëve. Ai u shfaq përkrah Qazim Sejdinit në ceremoninë e organizuar për 5 majin. Sot Rama zgjodhi të merrte me vete Ilir Metën, kandidati i të cilit ishte kundërshtari i Qazim Sejdinit në zgjedhjet lokale të vitit 2011, ndërsa shmangu Blushin. Kryeministri i druhet ndonjë ballafaqimi publik apo shtrëngimi duarsh me të vetmin deputet nga radhët e tij që kritikon hapur mënyrën e qeverisjes së Ramës.

Me sa duket po shkohet përfundimisht drejt një konflikti të hapur mes të dyve. Por kur do të jetë dita e përplasjes kokë me kokë? Pas zgjedhjeve duket se po vjen dueli i hapur. Nëse Rama fiton zgjedhjet do të jetë ai që do hidhet në sulm e në përjashtim të Blushit nga PS. Në të kundërt, pra nëse humbet kryeministri sfidën e zgjedhjeve lokale të cilat i ka personalizuar atëhere do të jetë Blushi dhe disa me Blushin që do të hidhen në sulm total e frontal.

SHKARKO APP