Kur do të vijë vaksina antiCovid në Shqipëri? Eksperti: Do të jetë për 30% të popullsisë
Në videon e sotme të shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, profesor Eduart Kakarriqi thotë se vaksina e covid-19 pritet të jetë gati në fund të këtij viti ose në fillim të vitit që vjen.
Kakarriqi thotë se vendi ynë ka nënshkruar me kompaninë Covax dhe menjëherë sapo të dalë do të sigurojë një sasi për 30% të popullatës së vendit.
“Ka tre katër firma të ndryshme industriale që pretendojnë dhe thonë se jemi thuajse gati që deri në fund të vitit të nxjerrin vaksinën në treg. Mendohet që pjesa më e madhe e mendimeve është se vaksina do të jetë gati vitin që vjen. Neve si vend kemi marrë masa. Kemi nënshkruar marrëveshje me Covax.
Ne jemi gati që sa të dalë vaksina vendi ynë do të jetë një ndër vendet që përfiton blerjen në kohë të një sasie rreth 30% të popullatës së vendit tonë duke pasur parasysh që në fokus janë mosha e tretë, grupet me risk dhe moshat pediatrike. Ne kemi një vaksinë në thonjëza në dorë që nuk janë gjë tjetër përveç masave. Një ndër këto masa krahas distancimit dhe higjienës është mbajtja e maskës. Maska duhet të bëhet zakon të mbahet jo vetëm në vendet e mbyllura por edhe jashtë”, thotë Kakarriqi.