Kur na mungon fuqia për të heshtur!

Nga: Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i Kuvendit dhe deputet i PD

Në çdo ditë perkujtimore ka një nxitim për të folur, për të thënë diçka, për të qënë në rregull, për të bërë detyren!

Një mbështjellje e banalitetit me folklorin patetik, e hipokrizisë me padobinë, e paturpesisë me pandjeshmerinë, e përdorimit me interesin, shpërrthen si kanalet e ujerave të zeza mbi pasardhësit e viktimave të komunizmit, të ish-të persekutuarve politike, mbi vetë të shkuemen, në çdo datë me shënjë siç është edhe e sotmja “dita përkujtimore e viktimave të regjimeve totalitare”.

Komunistë, ish-komunistë, pragmatisë, kodoshë e hajdutë, levantinë, bizantinë, spiunë, ish spiunë, njerez për të cilet historia është lopë me u mjelë si postet që kanë patur e kanë, turren tu lypë drejtësi per viktimat e martiret, tu thure lavde e ditirambe, tu ba gjykime e premtime , tu akuzu e coptu, pas 32 vitesh liri, tu sha e tu ba copash diktaturen me fjalë kinse si gjyle ndaj së keqes të pafuqishëm moralisht me heshtë.

Shumë prej tyre kulturalisht e fizikisht bijë të saj, kanë pasë një herë mundesi me ba diçka per ta e se kanë ba, kanë pasë pushtet e janë rrotullu në opozitë e prapë në pushtet e keshtu me rradhë. Gjithmonë kanë humbë një rast me ba një të mirë, me vu diçka në vend, me ndreq një padrejtësi, më ndertu një shembull, me ba akte e jo fjalë dhe në çdo rast ka triumfu perdorimi politik, ligjerimi prej kauçuku mbi thelbin e së shkuemes që kushtezon të tashmen dhe të ardhmen.

Të pakten një herë të vetme të kishin me mbyllë gojen e me i lanë viktimat a heronjtë në paqen e tyre, familjaret në pershpirtjen e tyne të dhimshmne, shoqninë në ndergjegjen e vet të vramë, kohen në qetesinë që humb nga pellitjet njerzore.

Kur na mungon fuqia për me heshtë nxitojmë me u ba klerikë të etikes, gishtdrejtues të bindun që të tjeret janë trushkulun dhe kujtesen e kanë të shkurter sa gjumin e pasdites. E shkuara lyp akte dhe jo fjale. Kur s’kena fuqi me ba akte se paku te mos bajmë zhurmë me tinguj akustik që u ndyjnë ameshimin të rënve.

SHKARKO APP