Kurban-politika që dëmton shtetin

-Nga Ylli Manjani-

Nëse do të ndryshojë ndonjëherë realisht marrëdhënia mes drejtësisë dhe politikës, pika e parë duhet të jetë kjo: politika nuk duhet të pastrohet me vendim gjykate.

Në demokraci gjykata dënon fajin penal, jo politikanin. Ajo mund të kufizojë lirinë e individit fajtor, por jo të zëvendësojë votën. Të drejtën për të qenë në politikë duhet ta heqë vetëm votuesi, jo gjyqtari me vendim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Doni ndarje pushtetesh? Ja ku është: gjykata të merret me krimin, ndërsa politika me zgjedhjet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Doni respekt për votën?

Mos e ngatërroni elektoratin me trupën gjykuese.

Doni gjykata të çliruara nga presioni politik?

Atëherë hiqjani nga duart fuqinë për të vendosur kush hyn e kush del nga politika. Sepse në momentin që gjykata përcakton fatin politik të dikujt, politika futet brenda sallës së gjyqit dhe gjykata futet në betejën elektorale. Duam apo sduam politika hyn aty brenda, në sallë, në dosje e madje edhe në kokën e gjykatësve.

Teoria lëngaraqe sipas së cilës kundërshtarin që nuk e mund dot me votë, duhet ta mundësh me procese penale, duhet të marrë fund. Kjo nuk është demokraci, por neveri.

Nuk zëvendësohet politika me prokurorë. As politikani me kallëzues në prokurori.

Politikani qëndron në politikë për aq kohë sa votohet. Dhe nëse dikush pyet pse ai apo ajo vazhdon të jetë aty, përgjigjja duhet kërkuar tek qytetarët që e votojnë, jo tek gjykatësi që e gjykon.

Votuesi e di më mirë se kushdo tjetër pse e mban ose pse e largon një politikan. Kjo është logjika demokratike.  Edhe me koston morale që votuesi zgjedh një të përfolur apo person në kërkim, përsëri ata që zgjedhin e dinë më mirë. Ndoshta të preferuarit e tyre janë më të sajdisur se politika dhe, kjo duhet të ngrejë pikpyetje për vetë politikën.

Të tjerat janë përzierje të rrezikshme mes moralit, penalitetit dhe luftës politike. Reformat nuk mund të vijojnë ti ngatërrojnë punët e shtetit me të partive.

Beteja politike e partiake fitohet ose humbet në elektorat, jo në gjykatë.

Kjo është ndarje pushtetesh.

Kjo është ndarje e shtetit nga partitë dhe nga politika e kurbanit me politikanë të ndëshkuar.

Dhe gëzuar Bajramin!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?