Kursi 1 euro me 100 lekë mund të zbusë jo pak probleme
Nga Eduard Zaloshnja-
Banka e Shqipërisë është lojtari më i fuqishëm në tregun monetar, me epërsi gjigante ndaj çdo lojtari tjetër në këtë treg. Me një ndërhyrje të fuqishme të kësaj banke në tregun monetar, kursi i këmbimit euro-lek mund të shkojë me lehtësi 1 me 100. Dhe një ndërhyrje e tillë do t’i çonte rezervat valutore të shtetit shqiptar në një vlerë që mund të mbulojë deri në 12 muaj të gjithë importeve, ndërkohë që nuk do ta destabilizonte nivelin e përgjithshëm të inflacionit.
Po si do të ndikonte kursi i këmbimit i euros 1 me 100 në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe të popullsisë?
Sektori i bujqësisë patjetër do të kishte përfitim, ngaqë do të ishte më konkurrues në tregjet e eksportit, ndërkohë që do të ishte më konkurrues edhe në tregun e brendshëm ndaj produkteve të importit (në zonat rurale banon më shumë se 35% e popullsisë së vendit).
Sektori i fasonerisë patjetër do të kishte përfitim, ngaqë do të ishte më konkurrues në tregjet e eksportit, ndërkohë që do të ishte më konkurrues edhe në tregun e brendshëm ndaj produkteve të importit (nga sektori i fasonerisë përfiton pothuaj 11% e popullsisë së vendit).
Edhe sektori i turizmit do të kishte përfitim, ngaqë do të ishte më konkurrues ndaj vendeve të tjera mesdhetare, ndërkohë që kursi 1 me 100 do të stabilizonte një faktor psikologjik për 12 milionë vizitorët nga jashtë, kur bëjnë llogaritë se sa do të shpenzojnë në Shqipëri (nga turizmi përfitojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi rreth 18% e popullsisë së vendit).
Rreth 65% e depozitave të kursimit në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri janë në euro ose në valuta të barasvlershme. Të gjithë këta depozitorë kuptohet që do të përfitonin nga kursi 1 me 100 për euron. Gjithashtu do të përfitonin të gjithë qytetarët që kanë dhënë ambiente me qira apo që kanë kontrata shërbimi të denominuara në euro.
Së fundmi, por jo më së paku, të gjitha familjet që mbahen me dërgesat valutore nga emigracioni do të përfitonin nga kursi 1 me 100 për euron. Vjet, dërgesat valutore nga emigracioni kapën shifrën rekord 1.4 miliardë euro!
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?
Results
Vota totale: 20298

