Kurti bisedë telefonike me Escobar: Të përkushtuar për dialog parimor me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar sot zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që tashmë është përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

”Gjatë një bisede telefonike me zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, diskutuam rëndësinë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe përkushtimin tonë për dialogun parimor me Serbinë që çon në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, shkruan Kurti.

Kryeministri e ka njoftuar diplomatin amerikan për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi si dhe për stabilitetin institucional e legjitimitetin demokratik.

”Escobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e ShBA-ve që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të BE-së. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim”.

Gjatë një adresimi online që kishte në konferencën për ”Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.

SHKARKO APP