Kurti e thotë troç: Nuk do ta dëshiroja një opozitë si vetja ime
“Unë nuk do ta dëshiroja një opozitë si vetja ime teksa jam në qeveri, por as nuk do të ketë nevojë dhe arsye sepse ne do të qeverisim mbarë e mirë”, kështu u shpreh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një intervistë për emisionin “Tempora” në RTV Ora.
Pjesë nga Intervista:
Kozeta Kurti: Shoqëritë shqiptare, edhe të Tiranës zyrtare edhe të Prishtinës zyrtare kanë një lloj frike që me ardhjen tuaj në pushtet do të zbehet pak forca e opozitës. A do ta dëshironit një opozitë si ajo që keni bërë ju gjatë gjithë këtyre viteve? Keni 10 vjet që i keni provuar të gjitha. Partia juaj erdhi nga një Lëvizje dhe a do ta dëshironit një opozitë si e juaja?
Albin Kurti: Unë nuk do ta dëshiroja një opozitë si vetja ime teksa jam në qeveri, por as nuk do të ketë nevojë dhe arsye sepse ne do të qeverisim mbarë e mirë. Në fakt ka pushtet pa demokraci, por nuk ka demokraci pa opozitë. Ne na nevojitet një opozitë konstruktive dhe e fuqishme dhe kushtet për këtë unë besoj që do të jenë të plota, do të jenë të vërteta dhe jo sikurse në mandatet e hershme, kur qeveria bënte pazare në pushimet verore dhe ne detyroheshim të bëheshim radikalë.