Kurti kërkon zgjedhje të parakohshme në nëntor, kur edhe Amerika zgjedh Presidentin e ri
Zgjedhjet parlamentare të 2025, presidentja Vjosa Osmani i ka caktuar për datën 9 shkurt, por ligjërisht kjo nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, një temë që si duket nuk është mbyllur ende.
Kryeministri Albin Kurti do të tentojë ta çojë vendin në zgjedhje në muajin nëntor, kjo edhe për faktin se në atë kohë do të votohet edhe shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë.
“Me gjasë është diskutuar brenda LVV një mundësi e tillë dhe mendoj se mund të kemi edhe zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme dhe kryeministri do të provojë të gjejë një arsyetim që ta çojë vendin në këto zgjedhje të parakohshme. Mendoj se zgjedhjet në fundin e nëntorit do të ishte një kohë optimale për arsye edhe klimatike”, thotë politologu Fidan Ukaj.
Sipas njohësit, të gjitha obligimet që ka marrë Kosova në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe Asociacionin, Kurti nuk do t’i zbatojë pa marr besimin për një tjetër mandat. Sa i përket partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës është shprehur e gatshme për zgjedhje të parakohshme sipas formulës për shpërndarjen e Kuvendit, por LDK dhe AAK kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, gjë që ky i fundit refuzon ta bëjë.