Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosje: NATO-n e duam në Kosovë, e Kosovën në NATO
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm.
Kryeministri njëherit edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti para delegatëve foli për të arriturat dhe sfidat gjatë qeverisjes së tij me vendin.
“Qeveria jonë i ka shpallur organizatat e tyre “Mbrojtja Civile”, dhe “Brigada e Veriut”, organizata terroriste, strukturat ilegale po mbyllen, shërbimet e tyre po zëvendësohen me shërbime të mira e të drejta të institucioneve të Kosovës. Nuk ka amnisti sepse ajo do të ishte padrejtësi ndaj viktimave, qytetarëve dhe shtetit tonë pa dallim, ka respektim të rendit dhe të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha ai.
Kurti shtoi se Kosovën e duan në NATO dhe NATO-n në Kosovë.
“Vazhdojmë të besojmë që anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për organizatën dhe mekanizëm i duhur për qytetarët tanë. Ndërkaq, në asamblenë parlamentare të NATOS-s, vendi ynë me shumicë dërmuese të votave të delegatëve të shteteve anëtare të NATO-s, mori statusin e anëtarit të asociuar. NATO-n e duam në Kosovë dhe Kosovën e duam në NATO”, u shpreh Kurti ai.
Kurti gjithashtu tha se vendi ynë tanimë ka një pasaportë që na bën krenarë, e që po fuqizohet dita ditës.
“Nga janari qytetarët tonë po mund të udhëtojnë lirshëm në Zonën Shengen të Bashkimit Evropian, kjo pasi janë liberalizuar vizat. Shteti për të cilin jemi krenarë më në fund ka një pasaportë, më të cilën jemi gjithashtu krenarë si asnjëherë më parë, dhe e cila përherë e më shumë po fuqizohet e po njihet gjithandej”, tha Kurti.
Kurti gjithashtu tha se në këtë gjashtëmujor të parë filloi edhe regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës, dhe inkasimi për konsum të energjisë.
“Më në fund, e pas një kohe shumë të gjatë, me dekada e jo me vite e muaj, vrima prej të cilës rridhte pa ndërprerë e pa masë paraja e buxhetit tonë, po mbyllet njëherë e përgjithmonë”, tha Kurti.
Ai ndër të tjera në fjalimin e tij ka falënderuar edhe popullin për, siç është shprehur ai, mbështetjen e dhënë.
Kurti tha se populli ia del edhe pa politikën e qeveritë, por sipas tij, politika e politikanët s’kanë kuptim pa popullin
“Populli ia del edhe pa politikën e qeveritë, por politika e politikanët, qeverisja e kuvendi, nuk kanë as kuptim pa popullin, në shërbim të së cilit është Lëvizja jonë e dashur, Vetëvendosje”, u shpreh Kurti./Telegrafi/