Kush dhe si i trafikon pesticidet e ndaluara në Shqipëri?
Nga: Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë
Në një hark kohor prej dy muajsh dy shtete Evropiane, Greqia dhe Sllovenia, bllokojnë sasira të mëdha perimesh tona për eksport për prani të pesticideve të ndaluara për tu përdorur kategorikisht në BE.
Autoriteti Evropian i Ushqimit, i ka përcaktuar të dy këta kimikate të zbuluara të perimet tona, përkatësisht metilominën dhe klorpirofosin si shumë të rrezikshme për shëndetin, pra nuk lejohet prania e asnjë gjurmë e tyre ne Evropë dhe bujqësinë e saj. Ato zbulohen dhe bllokohen në kufi tek perimet tona. Çfarë po ndodh? Po ndodh që stoqet e ndaluara të këtyre helmeve, në vend që të asgjësohen në BE, po infiltrojnë, shiten dhe përdoren në vende si Shqipëria.
Përse ndodh kjo? Sëpari, sepse trafikohen dhe futen kontrabandë te ne. Së dyti dhe këtu qëndron përgjegjësia e institucioneve të sigurisë ushqimore, nuk kryhen analiza për ti zbuluar ato në kohe siç bëri Greqia dhe Sllovenia. Si i bëhet? Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të vetmbrohemi? Po si? Një këshillë praktike! Të dy helmet e përshkruara si shumë të rrezikshme janë të treteshme në ujë. Por është e pamjaftueshme, të largohen me një larje të shpejtë.
Prandaj për ti asgjësuar, para se të konsumoni fruta dhe perime, harxhoni pak kohë dhe lërini ato të mbuluara me ujë të vakët për 5 minuta dhe më pas shpëlajini para se ti konsumoni. Provat analitike vërtetojnë se një veprim i tillë eliminon 95% të rrezikut.