Kush do i paguajë dëmet në pallatin 10 katësh? Ndërtuesi ka marrë aktin e kolaudimit
Kryeministri Edi Rama deklaroi se dëmet në pallate do të paguhen nga ndërtuesit.
Por gazetari i Ora News, Elio Laze raporton se në një pallat 10 katësh në hyrje të qytetit të Durrësit ndërtuesi ka falimentuar dhe për më tepër ka marrë aktin e kolaudimit.
Akti i kolaudimit është akti i fundit që bashkia të njeh si të rregullt dhe të certifikon si për të marrë certifikatën e pronësisë.
Një prej banorëve tha për Ora News se pallati është i pabanueshëm. Ai shtoi se askush nuk është interesuar dhe se e vetmja gjë që i kërkojnë është certifikata e pronësisë por që ka frikë ta shkojë në banesë ta marrë.
Banori u shpreh se me investitorin kanë pasur vetëm kontakte telefonike dhe se ky i fundit nuk i ka inspektuar dëmet në pallat.
Banori: “Dëmet janë kolosale, është e pabanueshme. Shyqyr prej Zotit jemi gjallë se të ishte prej robit do ishim në tokë. Jemi jashtëzakonisht shumë rëndë nga pjesa mureve. Në pallat nuk banon askush. Banoj në vend tjetër së bashku me familje. Nga komuna nuk është interesuar askush. Na thonë vetëm sillini certifikatën e pronësisë dhe fotot. Po si të hipi unë banesë kur është e shkatërruar.
Sipas kryeministrit dëmet duhet it paguajë investitori. Investitorin kemi pasur vetëm kontakte telefonike. Kur dëgjoj fjalët e kryeministrit që thotë do i paguajë investitori. Çfarë do paguajë investitori. Bashka e ka kolauduar, ka dhënë edhe vistron nga inxhinierët e vet. E kam certifikatën e pronësisë. Nuk guxojmë ti marrim. Provo njëherë të hipësh sipër.”
Ndërsa një banor tjetër tha se nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë dëmtimet që i shkaktoi tërmeti pallatit.
Banori: “Nuk e di kush do i paguajë dëmet por gjykoj se dëmet këtu janë shumë të mëdha dhe dëmet ekonomike të banorëve të pallatit që jetojnë këtu janë të pakta. Nuk kanë mundësi ekonomike që të bëjnë riparime. Mirë, janë dy kate banimi. Po tre katet e tjera që nuk janë banimi kush do ti riparojë. Këtu nuk ka ardhur asnjë komision të bëjë verifikimin e dëmeve. Sipas verifikimit të bashkisë është pjesërisht i banueshëm. Mundësi ekonomike për riparimin e objektit kaq të madh nuk kemi. Aq lekë sa kishim investuam në këtë shtëpi.”