Kush e drejton PD? Gjykata e Lartë jep lajmin që pret Rithemelimi
Gjykata e Lartë do vihet në lëvizje për të zgjidhur konfliktin ligjor të drejtimit të Partisë Demokratike. Fjala është për rekursin e bërë në 24 maj nga Rithemelimi, i cili kërkon të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ku vula i mbeti Sali Berishës.
“Kjo çështje për shkak të objektit që ka “Rekurs(Prishje Rigjykim)” hyn tek çështjet për të cilat gjykata investohet me procedurë të përshpejtuar. Për këtë arsye, por edhe për shkak të natyrës sensitive që ajo mbart, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ju bën me dije se ajo do të shqyrtohet shumë shpejt, në Dhomë Këshillimi”,-përgjigja e Gjykatës së Lartë për A2CNN
Berisha që drejton Rithemelimin ankohet prej muajsh se çështja vonohet enkas nga Gjykata Kushtetuese, me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama, me qëllim që përçarja mes demokratëve të vijojë sa më gjatë, duke i dëmtuar ata përballë elektoratit.
Sipas Apelit, Gjykata e shkallës së parë duhej të kishte pranuar si palë në proces edhe grupin e Bashës, ndaj pa hyrë në themel të çështjes kërkoi rigjykim e saj. Kundër këtij vendimi të Apelit, Rithemelimi i Berishës iu drejtua Gjykatës së Lartë, me bindjen se gjithsesi nuk do të gjejë zgjidhje.
8 janari i vitit 2022 është simboli i kësaj përplasje ku njëra palë fortifikoi partinë duke e blinduar, ndërsa tjetra kërkonte të ngrinte flamurin e fitores duke e shpërthyer atë. Berisha arriti të rimerrte selinë vetëm pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit të vitit 2022, ku Basha rezultoi forcë e tretë, duke u detyruar të japë dorëheqjen.