Kush është Aulona Bylykbashi, kandidatja për deputete e PS në Elbasan?

Aulona Bylykbashi, aktualisht Nënkryetare e Bashkisë Elbasan, ka marrë besimin e Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputete në zgjedhjet e 11 majit.
Prej tre vitesh, znj. Bylykbashi ka ushtruar me përkushtim dhe efikasitet detyrën e Nënkryetares së Bashkisë, duke u angazhuar në përmirësimin e shërbimeve publike dhe adresimin e sfidave të qytetarëve. Me një qasje bashkëpunuese dhe gjithmonë pranë komunitetit, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fuqizimin e rolit të gruas në jetën sociale dhe politike të Elbasanit, si Kryetare e Forumit të Gruas Socialiste.
E diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe me studime të avancuara në të drejtën financiare dhe bankare, znj. Bylykbashi ka ndërtuar një karrierë të spikatur në fushën akademike dhe administratën publike. Ajo ka qenë pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe më pas në Universitetin Amerikan të Tiranës.
Në administratën publike ka mbajtur pozicione të rëndësishme si:
Drejtore e Prokurimeve Publike
Drejtore e Përgjithshme e Menaxhimit të Aseteve, Projekteve dhe Prokurimeve Publike
Sekretare e Përgjithshme në Bashkinë Elbasan
Me mbi një dekadë përvojë në poste drejtuese, Aulona Bylykbashi ka treguar profesionalizëm dhe përkushtim në zbatimin e detyrave institucionale dhe respektimin e ligjit.
Përtej angazhimeve profesionale, ajo është një grua e përkushtuar ndaj familjes, duke ndarë kohën me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj, të cilët i konsideron mbështetjen më të madhe në rrugëtimin e saj profesional dhe politik.