Kush është deputetja që zëvendëson Mark Frrokun?

 

Deputeti Mark Frroku, i cili akuzohet për vrasje në Belgjikë, ka hequr dorë si deputet pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që me shumë gjasë do votonte pro ndërprerjes së mandatit.

Por lista e Partisë Kristian Demokrate në Shkodër ka sjellë një precedent të paparë. Kjo, pasi i dyti në listën e kandidatëve është vëllai i Mark Frrokut, Arben Frroku, i cili është në kërkim si i akuzuari kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

I liruar nga Shkalla e Parë, Arben Frroku është arratisur ndërsa Apeli e kërkon në burg. Kështu, Arben Frroku nuk do ta marrë dot mandatin pasi nuk mund të paraqitet në sallë për të bërë betimin dhe për të vijuar punën si i zgjedhur.

Në rast se vendimi i gjykatës për dy vëllezërit Frroku është i formës së prerë, atëherë KQZ-ja duhet të përzgjedhë sipas ligjit të tretin në listën e kësaj partie. Dhe për këtë arsye mandati do t’i shkojë të tretit në listën e Partisë Demokristiane, që është kandidatja Mirela Ferracaku.

Ferracaku e datëlindjes 1983 është një emër i panjohur për politikën apo jetën aktive të shoqërisë civile. Emri i saj është përmendur edhe më parë si pasuese e mandatit të Frrokëve, por ajo vetë nuk ka folur kurrë.

Lista pasohet edhe me 7 emra të tjerë dhe nuk është çudi që mes Ferracakut dhe kreut të PKD të ketë një marrëveshje për t’ia lënë mandatin dikujt tjetër.

SHKARKO APP